Celebrities Gossip Showbiz

Bashkëpunimi ‘flakë’ i Capital T dhe Elvanës!

Duket se ky vit ka qenë ai i bashkëpunimeve! Shumë artistë të dashur bashkuan forcat duke na sjellë shumë këngë të bukura të cilat u kthyen në hite dhe u pëlqyen nga publiku. E së fundmi një dyshe shumë e dashur artistësh na kanë surprizuar. Bëhet fjalë pikërisht për Capital T dhe Elvana Gjata.

“Flakë flakë” u publikua ditën e djeshme në orën 23:59. Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Instagram, para pak ditësh reperi ka ndarë me ne një pjesë të shkurtër nga klipi, duke na përgatitur kështu për këtë lajm kaq të bukur.

E pritjes i erdhi fundi, pasy dy artistët më në fund e publikuan bashkëpunimin e tyre. Një këngë shumë ritmike me një videoklip shumë të veçantë që padyshim na ‘vuri flakën’! Kaq pak orë nga publikimi dhe kënga ka afro 100 mijë klikime.

Deri më tani ky është bashkëpunimi i tretë mes Elvanës dhe Capital T pas “Lejla” dhe “Fustani” që padyshim janë hite që dëgjohen sot e kësaj dite dhe numërojnë miliona klikime. Na mbetet të presim nëse “Flakë” do të ketë të njëjtin sukses si dy bashkëpunimet e mëparshme të artistëve.

Reperi shpesh ka lëvruar zhanre të ndryshme duke nisur që nga këngët e dashurisë (që për hir të së vërtetës janë ndër më të pëlqyerat nga ndjekësit thënë kjo nga klikimet e shumta që marrin) e duke vazhduar tek këngët më ritmike. Megjithatë aty ku Kapo ka treguar se shkëlqen gjithmonë është muzika hip-hop.

Pas “Buzëqeshjes” një kënge shumë verore që u pëlqye nga ndjekësit, reperi vendosi të “kthehet në origjinë” dhe këtë na e tregoi ditën e djeshme me projektin e ri muzikor që publikoi. “Valle” na e riktheu Kapon ashtu si jemi mësuar ta shohim gjithmonë.

Nga ana tjetër, Elvana mendohet që do të sjellë një projekt të ri muzikor së bashku me reperin e njohur Mozzik. Ajo gjithashtu është parë se ka një shoqëri shumë të mirë me Loredanën dhe ndoshta së shpejti dy artistet mund të vijnë në një bashkëpunim së bashku.