Bota

Bashkimi Europian dakordësohet për akord pa tarifa të importeve ukrainase!

Njoftohet se Bashkimi Europian, BE ka arritur një marrëveshje të përkohshme ditën e sotme dhe që u jep prodhuesve ushqimorë ukrainas akses pa tarifa në tregun europian. Kjo deri në muajin qershor të vitit 2025 edhe pse ka kufizime të reja në importet e drithërave.

Në muajin janar, Komisioni Europian propozoi që të pezullonte detyrimet dhe kuotat në prodhimin e fermave ukrainase edhe për një vit tjetër, me një “frenim urgjent” për shpendët, vezët e sheqerin, duke çuar në vendosjen e tarifave nëse importet tejkalonin nivelet mesatare të viteve 2022 dhe 2023.

Megjithatë, pas muajsh protesta të fermerëve lidhur me rregullat mjedisore të Bashkimit Europian e për importet e lira, ligjvënësit e BE-së shtynë përpara zgjerimin e listës urgjente në prodhimin e importeve të tjera bujqësore dhe shtuan 2021-shin si vit referimi. Një gjë e tillë u planifikua para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës, kur eksportet ukrainase në Bashkimin Europian u frenuan nga tarifat dhe kuotat.

Negociatorët nga Parlamenti Europian dhe Presidenca belge e BE-së ranë dakord sot në mëngjes që të shtojnë në listë tërshërën, misrin, drithërat e mjaltin, duke mbajtur kufizimin e mesatares së importeve të viteve 2022 e 2023.

Negociatorët dhanë miratimin që Komisioni të vepronte brenda 14 ditësh, në vend të 21 ditëve apo tre javëve, sa ishte menduar fillimisht, nëse do të arriheshin nivelet e duhura të importeve.

Fqinjët e Ukrainës që janë në Union, të tilla si Bullgaria, Hungaria, Polonia, Rumania dhe Sllovakia janë ankuar se importet bujqësore kanë zemëruar prodhuesit e tyre, duke çuar në protesta të fermerëve dhe ndalesa të importeve. Dërgesat në këto shtete janë rritur pasi nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 pengoi eksportet përmes rrugës tradicionale të Detit të Zi.

Kievi zyrtar u shpreh se eksportet bujqësore nuk po dëmtojnë tregjet në Bashkimin Europian, veçanërisht tani që 95% e eksporteve bujqësore të Ukrainës kalojnë përmes Detit të Zi. Po ashtu, Ukraina bëri të ditur se vendimi i BE-së është i pranueshëm. Kjo marrëveshje e përkohshme duhet të miratohet nga Parlamenti Europian e qeveritë e Bashkimit Europian ndërsa vendimi për të, ka shumë gjasa që të merret në muajin prill, pra muajin e ardhshëm.