Bota

BE akuza Londrës për shkelje të Marrëveshjes BREXIT!

Bashkimi Europian njoftoi sot se do të rifillojë veprimet ligjore kundër Britanisë së Madhe lidhur me një projektligj të prezantuar nga Londra që do të anashkalonte pjesë të traktatit mbi marrëveshjen e BREXIT-it.

Projektligji i propozuar i Mbretërisë së Bashkuar synon të heqë kontrollet doganore për disa mallra që në Irlandën e Veriut, hyjnë nga pjesa tjetër e Britanisë së Madhe. Kjo do të anashkalonte pjesë të traktatit tregtar që kryeministri britanik Boris Johnson nënshkroi me BE-në, në më pak se dy vjet më parë.

BE-ja beson se vendimi “i njëanshëm” i Mbretërisë së Bashkuar është duke shkelur ligjin ndërkombëtar. I ashtuquajturi “Protokolli i Irlandës së Veriut” është pjesë e marrëveshjes së BREXIT-it që e mban Irlandën e Veriut në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian për mallra.

Blloku prej 27-vendesh do të rifillojë procedurën e shkeljes të nisur vitin e kaluar kundër qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Kjo pasi Britania zgjati në mënyrë të njëanshme një periudhë mospagimi, që zbatohet për tregtinë në ishullin e Irlandës.

Aksioni ligjor ishte pezulluar në shtator 2021, kur të dyja palët u përpoqën të gjenin një zgjidhje të përbashkët. Për më tepër, Unioni do të nisë veprime të mëtejshme kundër Britanisë, lidhur me një dështim për të kryer kontrollet e nevojshme sipas rregullave të BE-së dhe për të ofruar të dhëna statistikore tregtare, siç kërkohet nga protokolli.