Rajoni

Beogradi zyrtar do të vijojë me fushatën kundër njohjes së Kosovës shtet!

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Serbisë do të vazhdojnë të punojnë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Këtë e deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme. Nikola Selakoviç foli për gazetarët pas një seance të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të kryesuar nga presidenti serb, Aleksander Vuçiç, mbledhje e thirrur pasi një ditë më parë, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Si ministër i Punëve të Jashtme, sot i dorëzova presidentit Aleksander Vuçiç notat diplomatike të katër vendeve që tërhoqën njohjen e Kosovës dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare e autorizoi Vuçiçin që të informojë opinionin e gjerë se për cilat shtete bëhet fjalë, sapo ta gjykojë që është e nevojshme.

Selakoviç nuk bëri të ditur se për cilat shtete bëhet fjalë.

Me këtë veprim, duam t’u japim një shans shteteve anëtare të Këshillit të Europës, që të mos nisin procedurën e pranimit të të ashtuquajturës Kosovë në Këshill, në qershor.

Selakoviç shtoi se “shërbimet serbe të sigurisë kanë marrë informacione se të paktën dy vende të mëdha, po punojnë për t’i ofruar mbështetje serioze logjistike Prishtinës në fushatën për njohje të reja, si dhe në parandalimin e tërheqjes së njohjeve”. Vendet në fjalë, nuk i përmendi.
Takimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i Serbisë u zhvillua sot në kryeqytetin Beograd, një ditë pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës. Në përbërje të tij janë zyrtarët më të lartë të vendit.

Ndërkohë, autoritetet e Kosovës rikonfirmuan sot se aplikuan zyrtarisht për anëtarësim në organizatën, e cila merret me të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla:

Prishtina zyrtare po hap një kapitull të ri.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, deklaroi se “anëtarësimi në Këshillin e Europës është mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë e sundimit të ligjit”.

Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë e ligj. Liria e shprehjes dhe medias, çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Lufta ndaj korrupsionit është e pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit, prioritet.