Aktualitet Politikë

Berisha: 11 shkurti, dita e protestës më të fuqishme që ka parë Tirana!

Në daljen e radhës për mediat, kryetari demokrat Berisha tha sot se “faqja më e zezë e dosjes së Charles McGonigal ishte skenari i shkatërrimit të opozitës shqiptare”.

Në këtë skenar me dy akte, akti shqiptar është në disa aspekte, tmerrësisht i rëndë. Sepse Edi Rama arriti të angazhojë fuqinë e FBI-së, për shkatërrimin e opozitës shqiptare. Unë nuk di nëse McGonigal ishte agjent i rekrutuar nga rusët apo jo dhe uroj shumë që të ketë qenë një njeri i korruptuar e jo njeri që jepte të dhënat që dispononte, pasi kjo do të kushtonte shumë e shumë jetë njerëzish, qindra e qindra vite burgje të heronjve të vërtetë, që në kushtet më të vështira punojnë për sigurinë e botës së lirë.

Por, në rast të kundërt, faqja më e zezë e dosjes McGonigal, mbetet skenari i shkatërrimit të opozitës dhe pluralizmit në Shqipëri. Ky skenar u zhvillua në tre etapa:

E para, në zyrat e McGonigal kundër Nick Muzin, që kurorëzoi në ndjekjen penale të Lulzim Bashës e mbylljen e dosjes dhe marrjen peng të Bashës.

Etapa e dytë ishte sanksionimi i Sali Berishës, pasi ai nuk do të pranonte kurrë që PD të bashkëqeveriste me Edi Ramën. Etapa e dytë e skenarit, pavarësisht se përfshihej apo jo në këtë aferë McGonigal, duhet të them se Yuri Kim, luajti rolin, duke shkelur çdo parim, çdo ligj dhe Kushtetutë, luajti rolin e McGonigal për shkatërrimin e opozitës shqiptare dhe këtë e panë të gjithë shqiptarët.

Etapa e tretë, Edi Rama në mënyrën më kriminale nuk ndalon në veprën e tij makabër për të qeverisur pa opozitë, për të konsoliduar monizmin e tij, do të përjashtojë nga zgjedhjet e 14 majit, PD-në. Por kjo dëshirë e tij merr fund, kjo ëndërr e tij bëhet pluhur.

Aty ky përfundoi McGonigal do të përfundojë edhe Edi Rama si bashkëpunëtor në një krim të shëmtuar kundër vendit të tij. Por edhe si një njeri që i futi thikë në zemër, marrëdhënieve mes Shqipërisë e SHBA-ve dhe bëri një pabesi ekzemplare ndaj vendit të madh të lirisë, duke i korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI-së.

Ndaj jam këtu sot përsëri për të ftuar qytetarët shqiptarë të flasin me gjuhën e tyre më 11 shkurt, ora 12:00. Shqiptarët kudo që janë, janë të ftuar të vërshojnë drejt Tiranës! Shqipëria po zien këto ditë si kurrë më parë. 11 shkurti do jetë dita e protestës më të fuqishme që ka parë Tirana dhe më të madhe që është bërë ndonjëherë.

Ndaj, ftesa ime për shqiptarët është: të gjithë në protestë, për të ngritur zërin tonë kundër një regjimi të kalbur, për të larguar nga pushteti, një njeri që mund t’i vësh çdo epitet sot. Por, unë po ndalem për të thënë, një të pabesë, i cili për karrigen e tij është i aftë të bëjë çdo gjë.