Aktualitet Politikë

Berisha: SPAK të hetojë Ramën dhe Bashën!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në Kuvend se “aty ku hiqet vota, hyn droga, se aty ku nuk flet vota, flet mafia, se aty ku nuk flet vota, flet krimi, se aty ku nuk është vota shkelmohet dinjiteti, se aty ku përzihet vota ka vetëm skllavëri dhe verbëri”. Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se qytetarët për të patur një proces gjyqësor do të paguajnë shumëfishin e asaj që paguanin më parë, se sipas tij, “për arsye se të vetuarit e partisë janë të betuarit e saj për të marrë çdo masë, çdo vendim në favor të qeverisë”. Ndërkohë, kërkoi që SPAK-u të hetojë pasurinë e kryeministrit Rama dhe ish-kryetarit demokrat Basha.

A e dini ju qytetarë, që vëllezërit, motrat, nënat, baballarët vdisnin në Shqipëri nga COVID si në asnjë vend tjetër në Europë, sepse Ministria vidhte dhe vetëm vidhte fonde të caktuara nga buxheti për ndihmën tuaj? E dini ju pse nuk hetojnë këta gjykatës dhe prokurorë, në një kohë kur qeveria merr nga ju 340 milion euro nga çmimet e larta? I merr dhe i ndan me oligarkët e vet dhe jua preu edhe atë fond minimal që ua dha para tre muajsh. Pyeteni pak këtë zonjën e KLGJ-së, pse mban sekret ti Vetting-un e Sokol Sadushit, Pupos dhe të gjykatësit tjetër të Gjykatës së Lartë. Çfarë sekreti është ai? Jua them unë. Sepse të tre ata e kanë vendin pas hekurave. Të tre ata kanë pasuri kriminale të fshehura. Ata janë ushtarë të partisë, prandaj mbeten aty për të mbajtur peng.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja reagoi gjatë seancës plenare pas akuzave të kryetarit të PD-së Sali Berisha.

Ajo që është e re sot është se sulmi që u bëri organeve të drejtësisë tregon se drejtësia e re po funksionon. Eshtë tërësisht e pavarur dhe në rrugën e duhur, sepse sa herë ka hall ky njeri, sulmon drejtësinë. E ka patur në ADN e vet, sepse ishte mësuar t’i mbante drejtuesit e Prokurorisë në paradhomën e vet. U thoshte: “merreni këtë listë dhe i bini opozitës së kohës”. Mirëpo sot e pashë se ka hall, dhe kjo është e reja sot, se drejtësia e re më në fund ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur.