Politikë

“Beteja për PD-në” Basha e Berisha zbresin në bazë, takime në orare të njëjta por qytete të ndryshme

Në këto çaste dy liderët demokratë tashmë të shndërruar ndër rivalët më të ashpër nisin takime me anëtarësinë në bazë. Kështu Ish-Kryeministri Sali Berisha do të bisedojë me demokratët e Shkodrës në një takim të njoftuar për në 11:00 në “Pallatin e Sporteve”. Ndërkohë në të njëjtin orar edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të jetë me mbështetësit në Fier, takimi i dytë ky në bazë pas atij në Dibër.

Kujtojmë se dje Lulzim Basha, pasi i përjashtoi mbështetësit e Berishës nga PD, njoftoi zëvendësimin e tyre ne komisionet parlamentare. Duke qenë se Enkelejd Alibeaj, vendoset kreu i grupit parlamentar të PD, ai largohet nga nënkryetar i Kuvendit dhe postin e tij e zë Alfred Rushaj. Përjashtimi i Albana Vokshit nga PD, ka bërë që vendin e saj si kryetare e Komisionit të Shëndetësisë ta zërë Grida Duma. Kryetare e Komisionit të Arsimit vendoset Flutura Açka, e cila zëvendëson Agron Gjekmarkajn. Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve vendoset Dhurata Çupi, që zëvendëson Flamur Nokën.

Ndryshime janë bërë edhe në sekretariatet, ku Sekretariati për Buxhetin: Xhelal Mziu (sekretar), Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën: Bledion Nallbati (anëtar), Sekretariati për Statusin e Deputetit: Dashnor Sula (sekretar), Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet: Lindita Metaliaj (anëtar).

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Lulzim Basha tha se vendimi për përjashtimin e Berishës dhe organizatorëve të dhunës ishte i vështirë, por i duhur. Kryedemokrati e cilësoi 8 janarin si “vijën e kuqe” ku u bë ndarja përfundimtare me nxitësit e dhunës.

Ndërkohë që pak orë para tij Sali Berisha e rriti stekën e akuzave ndaj ish-birit të tij politik. Akuza e radhës ka të bëjë me një prej bizneseve me fitimprurëse, atë të lojërave të fatit.

Nga Lezha ish-Kryeministri tha se Qeveria i mbylli në fillim të vitit 2019 pasi ia kaloi online ato një kompanie në Qipro, pronare e së cilës është me 80% të aksioneve bashkëshortja e kreut të opozitës, Aurela Basha. Partia Demokratike reagoi pas këtyre akuzave, duke i konsideruar gënjeshtra, ndërsa cilësojnë Berishën si ‘mashtrues kronik’.