Bota

Biden: “Jo panik nga Omicron, por të pavaksinuarit duhet të shqetësohen!”

Ndërsa varianti Omicron i koronavirusit po përhapet me shpejtësi, presidenti amerikan Joe Biden bëri publike masat e administratës së tij që parashikojnë rritje edhe më të ndjeshme të vaksinimit apo të imunizimit me doza përforcuese, ofrimin e 500 milion testeve të shpejta falas për amerikanët, si edhe rritje të mbështetjes për spitalet e mbingarkuara me të infektuar.

Plani vjen ndërsa numri i rasteve të reja me koronavirus në SHBA po rritet sërish ndjeshëm, për shkak të Omicron-it. Gjatë fjalimit në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se “televizionet kabllore dhe mediat sociale kane përfituar nga dezinformatat lidhur me pandeminë”.

Ata që keqinformojnë, duhet t’i japin fund kësaj gjëje dhe menjëherë! Vendi nuk do t’i kthehet me marsit të vitit 2020. Amerikanët e kanë detyrë patriotike të vaksinohen.

Nëse nuk jeni plotësisht të vaksinuar, keni arsye për t’u shqetësuar ndërsa të vaksinuarit mund të infektohen me COVID-19, por ata janë të mbrojtur nga rastet e rënda të sëmundjes e vdekjet.

Biden detajoi ndryshime të mëdha në planin e tij për sezonin e dimrit sa i takon përpjekjeve anti-COVID, nxitur nga shfaqja e Omicron-it, rreth të cilit shkencëtarët kanë shumë pikëpyetje. Pjesë e rëndësishme e planit është vendimi që qeveria të blejë 500 milion teste të shpejta për koronavirus dhe t’ua shpërndajë falas amerikanëve, duke filluar nga janari. Për të siguruar një test falas, çdo amerikan do të përdorë një faqe interneti të re ku mund të porosisë një të tillë. Testet do të dërgohen me postë pa pagesë.

Vendimi shënon një ndryshim të madh në planin e presidentit, i cili më herët kishte bërë thirrje që shumë amerikanë t’i blinin vetë testet, gjetja e cilave është shumë e vështirë dhe më pas të kërkonin rimbursim nga sigurimi i tyre shëndetësor.

Mbrojtësit e testimit japin shembullin e vendeve si Britania e Madhe dhe Gjermania, të cilat kanë shpërndarë miliarda teste për publikun e rekomandojnë që njerëzit të testohen dy herë në javë.

Megjithatë, rritja e testimit nga administrata Biden vazhdon të jetë shumë larg niveleve për të plotësuar nevojat që të gjithë amerikanët të testohen sipas normave të rekomanduara, dy herë në javë. Sipas vlerësimeve, për ta bërë këtë, Shteteve të Bashkuara do t’i duheshin 2.3 miliard teste në muaj për të gjithë amerikanët mbi 12-vjeç.