Bota

Biden: Kurrë nuk njohim pretendimet e Rusisë në Ukrainë!

Presidenti amerikan, Joe Biden, riktheksoi se “Shtetet e Bashkuara nuk do ta njohin kurrë, kurrë, kurrë përpjekjen e Rusisë që të aneksojë territorin e Ukrainës”. Këto deklarata i bëri para fjalimit të homologut rus, Vladimir Putin. Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin Rusisë sanksione të reja për shkak të synimeve për aneksim.

Dua të jem shumë i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk do të njohin kurrë, kurrë, kurrë, pretendimet e Rusisë për territorin sovran të Ukrainës.

Dje, presidenti rus nënshkroi dy dekrete, përmes së cilave njeh rajonet e Zaporizhjas dhe Khersonit si të pavarura, duke hapur rrugën për aneksim.

Pavarësia e këtyre dy rajoneve është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Por, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka deklaruar se “ky aneksim i territorit të shtetit, është i bazuar në përdorimin e forcës” dhe “është kundër ligjit ndërkombëtar”.

Eshtë përshkallëzim i rrezikshëm, që nuk ka vend në botën moderne.

Në Sheshin e Kuq të Moskës janë kryer përgatitjet për fjalimin e Putinit. Kjo ngjarje pritet të jetë përsëritje e asaj të vitit 2014, kur Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë. As ai aneksim nuk është njohur nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar.

Ekspertët perëndimorë besojnë se Putin shpreson të aneksojë rajonet e pushtuara të Ukrainës, që të mund të argumentojë se territori rus është nën sulmet e armëve perëndimore. Sipas tyre, kështu Putin synon të bindë disa qeveri që të mos dërgojnë ndihmë ushtarake për Kievin.
Autoritetet ukrainase, thonë se vendimet e Putinit për aneksim, nuk e ndryshojnë situatën në fushëbetejë. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Vetë Putin e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi u përgjigj ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.