Bota

Blinken: SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën! Kuleba: Na duhen municione dhe sisteme të mbrojtjes ajrore!

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken siguroi aleatët e Detit të Zi se mund të mbështeten tek SHBA-të për çështjet e sigurisë.

Duke folur nëpërmjet një videoje në Konferencën e dytë të sigurisë në Detin e Zi që po zhvillohet në Sofje të Bullgarisë, Blinken nënvizoi rëndësinë e investimit në sigurinë e rajonit për të garantuar qëndrueshmërinë në gjithë Europën.

Blinken theksoi se SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus dhe të rimëkëmbet nga dëmet që i ka shkaktuar lufta prej më shumë se 2 vitesh.

“Putin besonte se fqinjët e Ukrainës në rajon do të ndaheshin, por ai gaboi. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në mënyrë që ajo të mbrohet sot dhe të ngrihet përsëri në këmbë”- u shpreh Blinken.

Ndërsa homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba tha se Ukraina ka nevojë për mbështetje ushtarake, municion dhe sisteme të mbrojtjes ajrore për të forcuar kapacitetin e mbrojtjes përballë pushtimit rus.