Sociale

“Bombë” me shkallë rreziku shumë të madh”, në Shqipëri mbërrin droga Bonzai

Ditët e fundit po flitet gjithmonë e më shumë për “Bonzain”, kanabisin sintetik që ka hyrë në Shqipëri. Bonzai është një drogë e re në trajtën e një bime të tharë e cila spërkatet me kimikate të rrezikshme për të cilat edhe shkencërisht dihet shumë pak.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, shpjegon se bëhet fjalë “për një lëndë narkotike të eksportuar nga Holanda dhe Belgjika, që ka sjellë shumë viktima në Turqi”.

“Përveç varësisë, këto lëndë krijojnë probleme në shëndetin mendor, probleme me zemrën dhe në veshka. Është një “bombë”, pasi ka shkallë rreziku shumë të madh për rininë. Problemi qëndron se është edhe e vështirë për t’u zbuluar nëpërmjet gjakut dhe urinës, pasi kjo drogë ka produkte që ndryshohen shpesh”, theksoi Softa.

Sipas ekspertit, kjo lëndë është më e rrezikshme sesa kanabisi, pasi është një produkt që prodhohet në laborator.

“Përdoren lëndë të ndryshme kimike për të arritur efektin në organizëm. Nuk është thjesht bima që ti e merr nga natyra”, theksoi Softa.

Bonzai ngatërrohet me kanabisin por nuk është e njëjta gjë.

Bima e thatë spërkatet me kimikate të rrezikshme të prodhuara nga njeriu në laborator dhe ka efekte shumë të dëmshme”, tha Toksikologia Amarda Gashi.

Sipas mjekes toksikologe efektet e Bonzait janë shumë të rrezikshme që ndikojnë në shëndetin mendor dhe fizik, madje mund të shkaktojnë dhe vdekjen.

Shkakton ankth dhe i çon përdoruesit drejt vetvrasjes, pafunizim të zemrës me gjak, dëmtim në veshka e deri ne vdekje”- shtoi Gashi.

Mjekja tregon se gjatë muajve të fundit në repartin e toksikologjisë kanë mbërritur disa pacientë që dyshohet se kanë qenë përdorues të bonzait, por kjo nuk mund të vërtetohet pasi toksinat e kësaj droge të re nuk kapen nga laboratorët.

Bonzai ka joshur trafikantët për ta shpërndarë mes përdoruesve pasi është një drogë e re që kushton shumë më lirë se heroina dhe pasojat vdekjeprurëse të saj nuk njihen nga shumica e përdoruesve, të cilët gënjehen nga dukja dhe mendojnë se po tymosin vetëm hashashin e zakonshem.