Aktualitet

Borxhet ndaj ujësjellësave e OSHEE-së, Rama: Disa bashki janë problem!

Nga Pogradeci ku sot mblodhi drejtues të pushtetit vendor, edhe për një bilanc të punës para zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm, për të cilat u shpreh se marrin rëndësi të veçantë, kryeministri Edi Rama, sërish u bëri sot thirrje bashkive të vendit, të mos krijojnë detyrime të prapambetura. Në takimin e zhvilluar edhe me praninë e ministrave të kabinetit qeveritar, Rama u shpreh se janë bërë përmirësime në këtë proces, por ende duhet punë, pasi siç nënvizoi “vërehet se në disa bashki të vendit borxhet vijnë duke u thelluar”.

Kryeministri Rama deklaroi:

Borxhet thellohen në disa bashki. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë ka bërë një paraqitje të situatës financiare. Borxhet thellohen nga bashkitë, pasi ecin me idenë se janë borxhe ndaj shtetit dhe nuk përbëjnë problem. Janë kryesisht borxhe ndaj ujësjellësave, Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, etj. Në disa bashki ka përmirësime. Por duhet përmirësim uniform. Duhet garantuar mesatarja e artë e shërbimeve dhe dinjitetit të qeverisjes së Partisë Socialiste.

Qeveria shqiptare ka nisur zbatimin e një reforme në sektorin e ujësjellësave, përmes së cilës synon një transformim rrënjësor të shërbimit, duke u ofruar qytetarëve ujë të pijshëm 24 orë në 24 e si rrjedhojë edhe shëndoshjen financiare të të gjitha kompanive të reja që do të krijohen.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se “agregimi i ujësjellësve është e vetmja mundësi për të shmangur të gjitha problematikat që janë evidentuar deri më sot, si pasojë e skemës të copëzuar të furnizimit me ujë, por sigurisht edhe të investimeve të copëzuara”.