Bota

Britania mund ta njohë shtetin palestinez para arritjes së marrëveshjes së paqes me Izraelin!

Britania e Madhe mund të njohë zyrtarisht një shtet palestinez, pas një armëpushimi në Gaza, pa pritur për rezultatin e bisedimeve shumëvjeçare midis Izraelit dhe palestinezëve për një zgjidhje me dy shtete. Kjo u theksua nga kryediplomati britanik, David Cameron gjatë një vizite në Liban, me qëllim uljen e tensioneve rajonale. Për agjencinë e lajmeve Associated Press, Cameron tha se nuk do të ketë asnjë njohje ndërsa Hamasi vazhdon të jetë në Gaza.

Njohja mund të vijë ndërsa vazhdojnë negociatat mes Izraelit dhe palestinezëve. Njohja nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kombet e Bashkuara e një shteti të pavarur palestinez nuk mund të vijë në fillim të procesit, por nuk duhet të jetë në fund të procesit. Mund të jetë diçka që merret në konsideratë pasi procesi dhe përparimi drejt një zgjidhjeje, bëhet më real. Ajo që duhet të bëjmë është t’i japim popullit palestinez një mundësi drejt një të ardhmeje më të mirë, të ardhmes për të pasur shtetin e tyre. Kjo perspektivë është absolutisht jetike për paqen dhe sigurinë afatgjatë të rajonit.

Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe të tjera vende perëndimore e kanë mbështetur idenë e një shteti të pavarur palestinez që ekziston përkrah Izraelit, si një zgjidhje për konfliktin më të vështirë të rajonit, por kanë thënë se pavarësia duhet të vijë si pjesë e një zgjidhjeje të negociuar. Që nga viti 2009, nuk ka patur negociata thelbësore për këtë çështje.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e kundërshtoi publikisht krijimin e një shteti të pavarur palestinez pas luftës. Madje, u mburr se ka luajtur rol të rëndësishëm në parandalimin e krijimit të shtetit palestinez.

Përpjekjet e disa prej aleatëve kryesorë të Izraelit për të njohur një shtet palestinez pa pëlqimin e Izraelit, mund ta izolojnë Izraelin dhe të ushtrojnë trysni për të qenë pjesë e diskutimeve. Cameron tha se hapi i parë duhet të jetë një “pauzë e luftimeve” në Gaza, që përfundimisht do të shndërrohej në “një armëpushim të përhershëm e të qëndrueshëm”.

Që Britania të njohë një shtet palestinez, udhëheqësit e grupit militant Hamas duhet të largohen nga Gaza sepse nuk mund të kemi një zgjidhje me dy shtete me Gazën ende të kontrolluar nga individët përgjegjës për 7 tetorin.

Deri tani, Hamasi ka mbajtur qëndrimin se udhëheqësit e grupit militant nuk do të largohen nga Rripi i Gazës si pjesë e një marrëveshjeje për armëpushim. Cameron theksoi se vendi i tij po propozon gjithashtu një plan për të ulur tensionet në kufirin mes Libanit e Izraelit, ku grupi militant libanez Hezbollah dhe forcat izraelite kanë shkëmbyer zjarr pothuajse çdo ditë gjatë katër muajve të fundit, duke shkaktuar frikë për një luftë më të gjerë rajonale.

Plani do të përfshijë trajnimin e forcave të ushtrisë libaneze nga Britania për të kryer më shumë aktivitete sigurie në rajonin kufitar.