Celebrities Showbiz

Britney Spears i kërkon falje fansave pas rrëfimit shokues të saj

Britney Spears tronditi të gjithë opinionin publik dhe fansat e saj ndër vite me rrëfimin para gjykatës dy ditë më parë për kujdestarinë e babait të saj. Këngëtarja tregoi se i është nënshtruar vlerësimeve të shumta psiqike, ilaçeve dhe se është traumatizuar nga i ati, Jamie Spears. Ajo deklaroi se nuk ka folur publikisht në lidhje me këtë çështje, sepse mendonte se askush nuk do e besonte, teksa zbuloi se nuk mund të mbetet shtatzënë për shkak të rregullave ligjore, që u vendosën në fuqi në 2008, sepse kujdestarët e saj nuk aprovojnë heqjen e kontrollit të lindjes. Ajo zbuloi se ka pirë litium, një ilaç që pihet për çrregullimin bipolar, kundër dëshirës së saj dhe se kjo e ka bërë të ndihet e dehur dhe të paaftë për të biseduar.

Pas këtij rrëfimi ka ardhur edhe reagimi nga Britney në llogarinë e saj në “Instagram”. Ajo ka ndarë një shprehje të Albert Ajnshtajnit, ku shkruhet:

Nëse do që fëmija yt të jetë inteligjent, lexoji përralla. Nëse do që të jetë akoma më inteligjent, lexoji akoma më shumë përralla.

39-vjeçarja i ka kërkuar falje fansave dhe është shprehur se:

Dua të ndaj me ju një sekret të vogël…Unë besoj se ne të gjithë duam të jetojmë një jetë si në përralla dhe nga postimet e bëra, jeta ime duket shumë e mrekuellueshme. Mendoj se kjo është ajo që dëshirojmë të gjithë! Kjo ishte dhe një nga cilësitë më të mira të nënës sime, pavarësisht sa e keqe ishte dita kur isha më e vogël, për hir të fëmijëve të saj ajo gjithmonë sillej sikur çdo gjë ishte në rregull. Po e sjell këtë në vëmendjen e njerëzve sepse nuk dua që të mendojnë se jeta ime është e përsosur, pasi padyshim që nuk është e tillë dhe nëse keni lexuar sadopak lajme rreth meje këtë javë, tashmë e dini që nuk është aspak. Kërkoj falje që jam sjellur sikur çdo gjë është në rregull për dy vitet e fundit. E bëra për shkak të krenarisë sime dhe se më vinte turp të ndaja atë çfarë më kishte ndodhur mua, por në të vërtetë kush nuk do të duket sa më mirë në “Instagram”! Besojeni ose jo, të sillesh sikur isha në rregull më ka ndihmuar shumë, kështu që vendosa t’a postoja këtë thënie sot për ata që po kalojnë vështirësi në jetë. Mendoj se “Instagrami” më ka ndihmuar të arrij një gjendje të qetë të ekzistencës sime dhe thjesht të ndihesha sikur kisha rëndësi pavarësisht asaj çfarë po kaloja dhe kjo funksionoi. Kështu që vendosa të filloj të lexoj më shumë përralla!

Rikujtojmë se, gjatë periudhës së saj të vështirë, Britney ka gjetur mbështetje vetëm tek i dashuri i saj 27-vjeçar.

Gjithashtu, ish-partneri i saj Justin Timerlake, ka postuar në “Twitter” se ai dhe gruaja e tij, Jessica, i dalin në mbrojtje këngëtares.