Rajoni

Bruksel, vijon dialogu teknik Kosovë-Serbi!

Në Bruksel po zhvillohen takimet në nivel kryenegociatorësh, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. I pari që u takua me të dërguarin e BE-së, Mirosllav Lajçak ishte delegacioni serb që kryesohet nga Petar Petkoviç, për të vijuar me të Kosovës, nën drejtimin e zv.kryeministrit Besnik Bislimi. BE-ja e cilësoi këtë si takim “në nivel negociatorësh” dhe nuk tregoi temat e bisedimeve.

Por, u mjaftua duke thënë se do të shqyrtohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani në procesin e dialogut dhe për rrugën përpara. Në ekipet respektive ka edhe ekspertë për çështje të energjisë, për të zhdukurit në luftë e doganat. Për Serbinë, zbatimi i Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë prioritet në procesin e dialogut, ndërsa për Kosovën, përparësi ka çështja e personave të pagjetur.

Një ditë më parë, Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian biseduan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas takimit, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se “Blloku pret që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për një akord gjithëpërfshirës në normalizimin e raporteve”. Borrell shtoi se pret që brenda dhjetorit të ketë një tjetër takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Bisedimet më të fundit mes tyre, datojnë muajin korrik të këtij viti.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se është i gatshëm për dialogun, por sipas tij, “takimi i radhës me Vuçiçin do të varet nga diskutimet në nivel negociatorësh”. Duke folur për marrëveshjen e mundshme me Serbinë lidhur me normalizimin e marrëdhënieve, u shpreh:

Duhet të ketë në qendër njohjen reciproke!

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-ve. Synim i tij është normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dy vendeve.