Aktualitet

Celibashi: Nuk ka votim të emigrantëve pa u plotësuar boshllëku ligjor!

Reforma Zgjedhore, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi thirrje partive politike të ulen në diskutime për të mundësuar ndryshimet e nevojshme. Sot në një bashkëbisedim me gazetarë, Celibashi u shpreh:

Duket që faktori politik dhe institucionet kanë pranuar nevojën për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, të paktën në disa aspekte të tij. Do të ishte mirë që partitë politike, shumica qeverisëse dhe opozita të angazhohen për t’i realizuar ndryshimet sa më shpejt të jetë e mundur. Mbetet në vlerësimin e partive politike adresimi i çështjeve që kemi evidentuar, që i konsiderojmë problematike ose të nevojshme për t’u rikonsideruar.

Po sa i përket votës së emigrantëve? Celibashi përsëriti thirrjen ndaj kuvendit që të plotësojnë kuadrin ligjor, në mënyrë që emigrantët të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2025. Celibashi kujtoi se ky është një urdhër i Gjykatës Kushtetuese, i cili duhet të zbatohet:

Nëse Kuvendi i Shqipërisë nuk plotëson boshllëkun ligjor sipas Kushtetutës, nuk mund të zhvillohet votimi nga jashtë. Nuk është përgjegjësi e KQZ-së me këtë kuadër rregullator ligjor e kushtetues, për të nxjerrë akte nënligjore që mund të mundësojnë votimin nga jashtë. Gjykata Kushtetuese ka thënë që mungon ligji për të zhvilluar votimin nga jashtë… ty të mungon ligji, nuk mund të nxjerrësh akt nënligjor të një ligji që nuk ekziston.

Lidhur me rekomandimin e KQZ-së për mundësimin e votimit elektronik në pesë qarqe, Celibashi vuri në dukje se kuvendi duhet të vendosë sa më shpejt, pasi procesi ka nevojë për një vit kohë përgatitje e trajnime, si edhe ka një kosto të lartë.

Votimi elektronik në pesë qarqe të mëdha do të jetë thuajse i pamundur nëse partitë dhe qeveria nuk marrin hapat për rekomandim e KQZ-së, në kohë. Votimi elektronik ka treguar se për këtë proces në  pesë qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë e Fier, duhet të kemi burimet njerëzore, si dhe sistemin elektronik e na duhet një vit kohë nëse duam që ky proces të mos marrë asnjë lloj kritike e të vendoset në dyshim pas votimit të vitit 2025. Partitë të vendosin nëse kanë interes për këtë, pasi kostot janë shumë të larta për këtë votim elektronik.