Aktualitet Politikë

Ceremonia në Bularat/ Ministri i jashtëm grek: Çështja Beleri kushtëzon integrimin!

Në Këlcyrë dhe Bularat janë mbajtur sot ceremoninë e përvitshme përkujtimore në nderim të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke 83 vjet më parë.

Në të dy varrezat prehen tani gati 1300 ushtarë të identifikuar. Familjarë të të rënëve por edhe qytetarë të thjeshtë grekë udhëtuan sot drejt Bularatit për të nderuar kujtimin e të rënëve në ditën që njihet si dita e “Jo-së”, që Italia fashiste mori në vitin 1940 nga qeveria greke.

Në ceremoninë përkujtimore të mbajtur në kishën e shën Athanasit në Bularat e më pas në varrezë morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të qeverisë greke. Në fjalën e tij zv. ministri i jashtëm grek Jorgos Kociras përsëriti kërkesat zyrtare të Greqisë për zgjidhjen e çështjes Beleri, duke ju kujtuar të pranishmëve se situata po ndiqet me vëmendje nga qeveria greke.

 “Është në nderin tim të përfaqësoj sot në këtë përvjetor qeverinë greke për tu gjendur mes jush që mbani lart flamurin grek. 28 Tetori është një ditë e ndriçuar për helenizmin dhe në këtë territor në Këlcyrë dhe Bularat u shkruar eposi i viteve ‘40. Këtu prehen ushtarët grekë heronjtë tanë që luftuan në malet e Shqipërisë dhe nderohen me dinjitet në vendin ku kanë rënë. 28 Tetori na frymëzon dhe si ngjarje na kujton se një popull i vendosur dhe që mbron të drejtën është i destinuar t’ja dalë. Si sot 83 vjet më parë shpresa fitoi mbi frikën.

Të njëjtat parime do të duhet të na udhëheqin edhe sot në kohë krizash. Të njëjtën gatishmëri që Shqipëria tregoi në 2019 për të njohur dhe mbrojtur varrezat e grekëve të rënë në Shqipëri e kërkojmë edhe për çështjen e Fredi Belerit në mënyrë që të mos hedhë hije mbi marrëdhëniet greko-shqiptare. Siç e ka theksuar edhe kryeministri, Fredi Beleri ka të drejtë të betohet për postin e kryetarit të bashkisë së Himarës. Bëhet fjalë një shkelje të së drejtës së personit të votuar nga zgjedhësit duke shkelur çdo normë ndërkombëtare në një shtet të së drejtës. Greqia mbështet intergrimin e Ballkanit Perëndimor në BE por kjo mbështetje presupozon respektimin e shtetit të së drejtës. 

Ministria jonë e Jashtme, ambasada dhe konsullatat në Shqipëri i njohin çështjet që shqetësojnë dhe po i ndjekin ato nga afër”, tha Kociras.

Edhe kreu i OMONIA-s Vangjel Dule ishte i ashpër në deklarata e tij gjatë ceremonisë duke ju referuar çështjes sipas tij ende të pazbardhur të Kacifas i vrarë 5 vjet më parë si dhe çështjes Beleri me të njëjtën retorikë të artikuluar së fundit prej tij.

“ Vrasja e Kacifas jo vetëm nuk është zbardhur por janë shënuar hapa pas për ta turbulluar edhe më tej atë, veçse jam mëse i bindur se e vërteta vonon por nuk harron. Të vërtetën do ta mësojmë nga përfundimi i procesit në Strasburg.

Me çështjen Beleri, Shqipëria ka prishur imazhin e vet dhe ka rrënuar kushtetutën e vet duke mbajtur një kryetar të zgjedhur të një bashkie, që më tepër të opozitës dhe të minoritetit duke e penguar atë kundër çdo logjike politike, njerëzore dhe juridike të marrë misionin që i ka ngarkuar atij sovrani. Sigurisht që kjo ka ndikuar marrëdhëniet e Shqipërisë me BE me Greqinë dhe është i kuptueshëm për pasojë edhe reagimi i kryeministrit grek”, tha Vangjel Dule.

Kur kanë filluar negociatat me palën shqiptare më  shumë se 22 vite më parë për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë kërkesat nga pala greke kanë qenë për rreth 8500 të rënë nga 12000 që ishin në total të rënët e luftës italo- greke. Më pas ato u kufizuan në kërkimin e të paktën 3000 ushtarëve brenda qarkut të Gjirokastrës. Pothuajse të gjithë përvjetorët e JO-së greke janë shoqëruar në Bularat dhe Këlcyrë me agjenda  të ndryshme kërkesash nga ndërtimi i më shumë varrezave, në çështje që lidhen me gjuhën, edukimin, pronat e minoritetit. Për disa vjet në qendër të përvjetorit u mbajt Kostandinos Kacifa dhe këtë vit çështja e Fredi Belerit.