Aktualitet

Çështja Beleri, Rama i përgjigjet përfaqësuesit grek në Bruksel: Respektoni drejtësinë e një vendi sovran!

Çështja Beleri, kryeministri Edi Rama kërkoi nga Greqia të mos ndërhyjë në çështjet e drejtësisë së një vendi tjetër. Në Bruksel iu përgjigj Sakis Ioannidis-it, përfaqësues i Greqisë në Komitetin Ekonomik dhe Social Europian/Anëtar i Administratës Qendrore të Ekonomisë. Për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, për të cilin SPAK-u kërkon 2 vite e 6 muaj burg për blerje votash, Rama tha se çështja i takon drejtësisë shqiptare dhe “Greqia duhet të respektojë drejtësinë e një vendi sovran, siç është Shqipëria”.

Jam i detyruar të reagoj ndaj ndërhyrjes nga kolegu grek, i cili e bëri Shqipërinë të dukej si të ishte Siberia dhe që dikush në Siberi po mbahet peng nga një regjim mizor dhe i përgjakshëm vetëm sepse është shtetas grek. Kjo duhet të jetë arsye për të alarmuar botën se Shqipëria nuk është Shqipëria, por është Siberia.

Kjo mënyrë për ta parë çështjen është krejt delirante, nuk ka të bëjë aspak me realitetin dhe nëse do të kishte një grimcë të vërtete në të gjithë këtë shpërthim, a besoni se ky qytet do të kishte qëndruar në heshtje e nuk do të kishte thënë asnjë fjalë? Pra, nuk do të kishte pasur as një fjalë, as nga Komisioni Europian, as nga Këshilli Europian, as një fjalë nga shtetet e tjera anëtare?

Kjo është vetëm kaq, një çështje e drejtësisë në një vend sovran ku Reforma në Drejtësi ka qenë reforma më e lëvduar nga Bashkimi Europian dhe ku më së fundmi, askush në Shqipëri nuk është mbi ligjin, qoftë i pasur apo i varfër, qoftë politikan apo qytetar i zakonshëm, qoftë shtetas shqiptar apo grek dhe nuk ka asnjë arsye për ta sjellë gjithë këtë dramë e traumë ballkanike në Bruksel sepse tingëllon shumë, shumë larg asaj çka e bën Bashkimin Europian atë që është.

Më duhet t’i garantoj kolegut grek dhe çdo greku që mendon po njësoj që nuk ka asgjë të tillë. Kjo është thjesht një çështje e drejtësisë dhe drejtësia do të japë përgjigjen, më në fund. Mësoni që të respektoni drejtësinë në vendin tuaj dhe në çdo vend të Bashkimit Europian dhe të hemisferës europiane!