Bota

“Charlie Hebdo”, arrestohet autori i sulmit

Kryeministri francez Jean Castex deklaroi se autori i sulmit të sotëm pranë ish-zyrave të revistës satirike “Charlie Hebdo” është arrestuar, ndërsa policia është në vënë në kërkim të një bashkëpunëtori të mundshëm të tij. Castex tha se dy persona të cilët ishin duke punuar për një film dokumentar të kompanisë “Premieres Lignes”, ishin sulmuar në rrugë pasi kishin dalë për një pirë një cigare.

Një dëshmitar okular tha se kishte dëgjuar ulërima, dhe kishte parë një person të moshës 30 apo 40 vjec me një sëpatë në dorë që po ecte pas njërës prej viktimave të mbuluar në gjak. “Charlie Hebdo” ka qenë skenë e një sulmi terrorist, në vitin 2015, ku kanë mbetur të vrarë 12 njerëz.

Zyra e prokurorit e përshkroi ngjarjen si “vrasje në tentativë”, që “lidhet me një iniciativë terroriste”. Castex e ndërpreu një vizitë në rrethinë të Parisit, për të ndjekur zhvillimet. Motivi i sulmit është i paqartë. Po ashtu nuk dihet nëse ai është i lidhur me revistën “Charlie Hebdo”, e cila e ka zhvendosur zyrën diku tjetër, pasi u sulmua nga militantët islamikë, pesë vjet më parë.