Sociale

Cilat janë arsyet kryesore të luftës?!

Duket se lufta do të ekzistojë gjithnjë mes vendeve të ndryshme. Vetë Shqipëria dhe shqiptarët kanë përjetuar luftën dhe pasojat e saj. Më poshtë, po ju rendis disa nga arsyet kryesore pse ndodh lufta, me shpresën naive se nëse dimë shkaqet mmund të gjejmë edhe zgjidhjet.

Aspekti ekonomik

Shumë luftëra ndodhin për arsye ekonomike. Sado të pasur të jene njerëzit ata gjithnjë do duan shumë më tepër. Një shtet që do ekonominë e një shteti tjetër, industrinë e suksesshme të tij apo botën fitimprurëse natyrore mund të bëhet lehtësisht shkak për luftë. Dikur, lidhur me aspektin ekonomik ishte ari apo argjendi, ndërsa tani mund të jenë vaji apo mineralet. Disa shkencëtarë mendojnë se me rritjen e popullsisë dhe zvogëlimin e gjërave bazike për jetesë, luftërat në të ardhmen do të ndodhin për bukën dhe ujin.

Pozicioni gjeografik

Ne e dimë shumë mirë këtë shkak lufte pasi paraardhësit tanë e kanë përjetuar deri në palcë. Të jesh një vend me pozicion gjeografik të mirë, urë lidhëse për shtetet e tjera, dhe me botë ujore të pasur mund të jetë aq fitimprurëse sa edhe e dëmshme. Shumë luftëra kanë ndodhur në Shqipëri e jashtë saj për të pushtuar territore të ndryshme.

Besimi fetar

Besimi fetar në këndvështrimin tim, është diçka shumë personale, shumë e thellë, shumë delikate. Të jesh një besimtar i vërtetë, do të thotë të ftosh të tjerët të besojnë në të njejtin Zot, por jo t’i imponosh ato. Duhet të tregosh respekt për besimin fetar të kujtdo. Arsye e shumë luftërave ka qenë pikërisht kjo, dhe popullsi të vendeve të ndryshme janë detyruar të ndërrojnë besimin fetar sepse nuk kanë patur tjetër opsion. Megjithatë, sugjerimi im modest, është se besimi është diçka shumë e ndjerë që nuk duhet detyruar apo imponuar.

Lufta civile

Lufta civile do të thotë një luftë që ndodh mes grupimeve të ndryshme, me ide dhe qëllime të ndryshme brenda një shteti. Shumë shtete kanë përjetuar luftën civile si një luftë mes interesash të ndryshëm politik. Por, një shtet i përçarë është shumë më i arritshëm edhe për fuqitë e jashtme.