Sport

Conference League, Teuta, Laçi, Vllaznia e Partizani luajnë në turin e dytë!

Në Conference League, Teuta, Laçi, Partizani dhe Vllaznia luajnë sot ndeshjet e radhës. Në 19:00, durrsakët përballen me ekipin e Andorrës: Inter Escaldes ndërsa shkodranët në transfertë me AEL Limassolin e Qipros.

Pas përmbysjes epike dhe kualifikimit ndaj Siroki Brijeg-ut, kundërshtari është më i vështirë. Trajneri Thomas Brdaric:

Skuadra është gati për ndeshjen me AEL. Gjatë këtyre ditëve jemi munduar ta studiojmë kundërshtarin dhe mënyrën si luan. Kemi të bëjmë me një skuadër të mirë, në radhët e të cilës ka lojtarë me shumë cilësi. Gjithsesi, kanë edhe ato pikat e dobëta dhe do të mundohemi t’i godasim pikërisht aty. Çdo kundërshtar është i vështirë. Në këtë fazë që kemi mbërritur duhet të tregohemi më të kujdesshëm. Me Siroki Brijeg ndoshta kemi treguar pak naivitet.

Po në 19:00, kurbinasit do të luajnë me rumunët e Craiovës.

Në 20:15 është radha e Partizanit që e pret një ndeshje shumë e vështirë ndaj Bazelit në Zvicër, e vlefshme për turin e dytë të Conference League. Trajneri i të kuqve, Ilir Daja, paralajmëroi ndryshime në formacion dhe tregoi se Musta nuk do jetë i gatshëm.