Rajoni

Daçiç: S’ka asnjë dakordësi për njohjen e Kosovës, e papranueshme për ne

Kryeparlamentari serb Ivica Daçiç ka deklaruar se çështja e presioneve politike ndaj Serbisë lidhur me Kosovën “nuk kanë të bëjë me BE-në, aq sa ka të bëjë me vendet anëtare të BE-së”. Daçiç ka theksuar se nuk ka asnjë kompromis që Serbia do të njohë Kosovën.

“Serbia po shkon drejt BE-së, është në interesin tonë të jemi anëtare e BE-së, por sigurisht që është në interesin tonë t’i mbrojmë interesat tona shtetërore dhe kombëtare dhe këtu s’ka asnjë kompromis në kuptimin që do ta njohim Kosovën apo diçka të tillë. Kjo është e papranueshme për ne”, tha Daçiç në një intervistë televizive.

Kryeparlamentari njoftoi gjithashtu se ndryshimet në kushtetutën e Serbisë në fushën e drejtësisë po bëhen me rekomandimin e BE-së. Për këto ndryshime, është planifikuar mbajtja e një referendumi të dielën, më 16 janar, të cilin kryeministri Albin Kurti ka njeftuar më herët se nuk do ta lejojë.

Më herët, edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka deklaruar gjatë një takimi me përfaqësues të listës serbe në Kurshumli, se pritshmëritë e institucioneve të Kosovës për njohje reciproke nuk janë të realizueshme.

“Prishtina vetëm dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe asgjë më shumë. Nëse ata mendojnë se kjo është reale dhe e mundur, mirë për ta, por ne nuk mendojmë”, ka thënë Vuçiç.

Ai tha se Prishtinës nuk i pëlqen marrëveshja e Uashingtonit, por kërkon vetëm njohjen e shtetit. “Atyre nuk iu pëlqen asgjë. E vetmja gjë që ata duan është që Serbia të njohë Kosovën dhe asgjë më shumë”, ka shtuar Vuçiç.