Aktualitet Politikë

Debate në Kuvend për Reformën Zgjedhore/Nikolla përjashton Bashën për zaptim të foltores!

Kuvendi i Shqipërisë po zhvillon një seancë plenare normale, larg aksionit opozitar me zhurmues e flakadanë. Ndërsa sot përfundon afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Lulzim Basha kërkoi zgjatjen e këtij afati dhe nga foltorja u drejtua me fjalët: Mos përsërisni skandalin e 2008-ës! Duhet reformë zgjedhore për qytetarët, jo politikanët! Në përgjigje, kryetari i grupit socialist, Bledi Çuçi tha se presin rekomandimet e Komisionit të Reformës Zgjedhore për t’i shqyrtuar dhe më pas, vendosin.

Për këtë çështje foli edhe deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj:

E gjithë salla hesht. Dita e fundit e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ky parlament e ka për detyrë të deklarojë edhe dështimin po të dojë të komisionit, por të nxirrni në rend dite produktin, pr.ligjin e depozituar nga PD-ja këtu e 5 muaj më parë. Ky është normalitet e sinqeritet. Ne kemi depozituar variantin tonë, votën e diasporës. Të votojmë sot!

Të pranojnë se nuk duan lista të hapura e se kanë frikë nga qytetarët, që duan të përjashtojnë diasporën nga vota. Ta thonë sot me votë. Të pranojnë t’i dhurojmë Ramës 6 mandate në tavolinë. Të pranojnë këtë gjë dhe të dalin përballë shqiptarëve.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi:

Komisioni për Reformën Zgjedhore nuk mund të quhet komision bipartizan konsensual, për aq kohë sa opozita kërkon pranimin nga maxhoranca të propozimeve të saj. Sipas Kushtetutës, listat janë të hapura dhe maxhoranca ka bërë gati dokumentin si duhet të votojnë emigrantët.

Në lidhje me dy thirrjet e Bashës dhe e dyta si deklarim i kapitullimit i komisionit bipartizan zgjedhor, sot mbaron afati i një komisioni dhe për fat të keq po presim produktin përfundimtar. Por, duket nga deklarimet e Alibeajt se nuk do ketë produkt përfundimtar, për vetë mendësinë si e kanë trajtuar këtë komision. Alibeaj tha se produkti i këtij komisioni do të ishte dokumenti që kanë dorëzuar në Parlament. Çfarë komisioni bipartizan konsensual mund të ngrihet mbi këtë premisë kur pakica vjen me një draft, e dorëzon në Parlament dhe thotë këto janë kushtet tona, po doni merrini, po doni lërini? Ne do i shqyrtojmë këto rekomandime e do mbajmë një qëndrim edhe këtu në Parlament.

Në Kushtetutë e kemi se listat janë të hapura. Ne kemi ndryshuar në ligjin zgjedhor që emigrantët duhet të votojnë. Kemi bërë gati dhe dokumentin si duhet të votojnë. Ne nuk kemi çfarë bëjmë tjetër veçse të presim produktin përfundimtar të këtij komisioni dhe si duket nuk ka asnjë produkt, si asnjë komision tjetër.

Në një tjetër zhvillim, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka përjashtuar nga seanca plenare kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha pasi kërkonte marrjen e fjalës për procedurë, por kryeparlamentarja nuk e ka lejuar, duke i kërkuar disa herë që të lironte foltoren e Kuvendit.

Në sallën ku është rikthyer qetësia, sot në rend dite është edhe ngritja e dy komisioneve hetimore, për të cilat u ra dakord mes Maxhorancës e Rithemelimit. Ato kanë të bëjnë me Shëndetësinë, duke përfshirë Sterilizimin e Check-Up/in, si dhe Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS. Po ashtu, rendi i ditës përfshin shqyrtime e diskutime për një sërë projektligjesh, mes tyre “Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Gardën e Republikës”.