Aktualitet Food & Drink

Debate te Ekonomia për dyfishimin e akcizës së birrës/Qeveria kundër diferencimit!

Diskutimet e projektligjit “Për akcizat” që unifikon akcizën për birrën dhe pijet e forta alkoolike ka shkaktuar debat mes deputetëve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Me paketën e re fiskale unifikohet akciza për prodhuesit dhe importuesit nën dhe mbi 200,000 Hl në masën 710 lekë për Hl. Me ligjin aktual, akciza për prodhuesit dhe importuesit me sasi më të vogël se 200,000 HL në vit është 360 lekë/HL dhe për fashën mbi 200, 000 HL në vit është 710 lekë/Hl.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pohoi se heqja e fashës së akcizës është në përputhje me direktivën e BE-së, ndërsa niveli i ri i propozuar është 3-4 herë më i ulët se ne vendet e BE-së.

Ne propozojmë akcizë për birrën 0,002 euro për shishe që është më e ulët se vendet e BE-së, pra është më e vogël se çdo vend ku funksionon direktiva. Nëse niveli i akcizës do të ishte në nivelet e vendeve të BE-së do të ishte 3 – 4 fish më i lartë se niveli i propozuar, duke rritur koston më të madhe. Propozimi ynë dyfishon nivelin e akcizës.

Me ligjin aktual, akciza e birrës është 1,2 lekë për litër. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve fiskale do të jetë 2,3 lekë për litër. Pra shtohet kostoja për shishe që do të pasqyrohet në çmim me 1,1 lekë për shishë. Kosto që nuk është e parashikuar në planet prodhuese të biznesit, por është më e ulët se vendet e BE-së. Deputeti i PS-së Vullnet Sina shtoi se rritja është e lartë. Duke përllogaritur nivelin e përqindjes së alkoolit të birrës akciza rritet me 15 lekë për litër apo 5,5 lekë për shishe. Sina kërkoi që të zbatohet rritja e akcizës me shkallë në vite, pasi ndryshimi është shumë i lartë.

Kryetari i Komisionit, Eduart Shalsi, ngriti shqetësim se mos kjo masë do të sjellë që tregu të dominohet nga birra e importit, pasi mund të rrisë çmimet dhe do ta kenë të pamundur të konkurrojnë me birrat huaja. Ministrja Ibrahimaj tha se diferencimi është incentivë për të pasur evazion.

Diferencimi është stimuli për evazion. Nuk bëhet pjesë për birrën shqiptare dhe është 15% e birrës së importit që deklarohet nën 200 mijë Hl dhe përfiton nga kjo masë. E kemi mbajtur diferencimin për të stimuluar fabrikat e vogla artizanalë, gjë e cila nuk ndodhur. Pra në këtë momente nuk e kemi marrë në konsideratë që të vendosim limit për akcizën.

Prodhuesit e birrave në vend e kundërshtuan fort këtë nismë, duke paralajmëruar se rrezikohej mbyllja e fabrikave dhe dalja e rreth një mijë punonjësve si të papunë.