Politikë

Financat vendore, Ibrahimaj: Brenda vitit miratojnë ligjin për taksën e pasurisë, do të ndikojë në të ardhurat e bashkive

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj theksoi se brenda vitit synojnë që të miratojnë ligjin e ri për taksën e pasurive. Në konferencën “Financat Vendore” ku po merr pjesë, ministrja theksoi se me miratimin e këtij ligji do të rriten ndjeshëm edhe të ardhurat e bashkive.

“Ka filluar një proces të konsultimit publik, i cili synon të ndryshojë ligjin mbi taksën e pasurisë. Ka filluar që në fillim të këtij viti, synojmë që brenda vitit të miratojmë ligjin. Synohet që nëpërmjet këtij ligji të rritet ndjeshëm taksa mbi pasurinë, pra që do të ndikojë ndjeshëm në të ardhurat e bashkive.

Megjithatë është një proces i komplikuar që prek të gjithë popullatën. Synohet që taksat për banesat të hyjnë në fuqi në 2026 ndërsa për tokat bujqësore në 2028. Nëpërmjet këtij ligji ne do të duam që tashmë taksa me pasurinë të vlerësohet mbi vlerën reale dhe jo mbi çmimet e referencës. Do të duhet një angazhim më i madh i të gjitha bashkive me qëllim bashkëpunimin, zbatimin e ligjit që do të miratohet por me qëllim mbledhjen e taksës në të gjithë vendin.“, theksoi ministrja.

Gjithashtu Ibrahimaj theksoi disa ndryshime që do të bëhen në mënyrën se si do të llogaritet performanca financiare e bashkive.

“Gjatë vitit 2023, kemi miratuar ligjin që bën disa ndryshime në mënyrën se si raporti kalkulohet dhe performanca financiare kalkulohet. Nëse deri këtë vit, ne performancnën financiare e llogarisnim bazuar në planin e buxhetit, tashmë do të analizohet bazuar në faktin e shpenzimeve dhe të ardhurave. Kjo do të implikojë disa ndryshime në performancën që kanë bashkitë sot pasi diferenca mes planit dhe faktit është e ndjeshme. Që do të thotë se secili prej jush do të duhet të marrë masa të rëndësishme gjatë vitit me qëllim zbatimin e planifikimit që bëni.

Kemi pasur përmirësim nga viti në vit të menaxhimit të bashkive. Nëse vjet kishim 10 bashki me probleme financiare, sot kemi 8. Nëse vjet kishim 7 bashki me vështirësi financiare, sot kemi 4“, theksoi ministrja.