Bota

Dënohet ish-kryeministri pakistanez, Imran Khan/14 vjet burg për korrupsion!

Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan dhe bashkëshortja e tij, Bushra Khan u dënuan secili me nga 14 vjet burg lidhur me shitjen e paligjshme të dhuratave shtetërore. Lajmin e dha partia e tij. Në këtë vendim përfshihet edhe përjashtimi me dhjetë vjet nga mbajtja e një posti publik, po sipas partisë Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI). Bushra Khan, e cila më shumë njihet si Bushra Bibi, u arrestua pak pas vendimit.

Dënimi për korrupsion nga një gjykatë në Islamabad, vjen një ditë pasi Khan u dënua me dhjetë vjet heqje lirie për një tjetër rast, pasi u shpall fajtor se kishte zbuluar sekrete shtetërore. Dy dënimet ndaj ish-kryeministrit vijnë një javë para se në Pakistan të zhvillohen zgjedhjet kombëtare. Mbrojtja e tij komentoi:

Ende një ditë e trishtuar në historinë e sistemit tonë gjyqësor, që po shkatërrohet. Gjatë gjykimit nuk u lejua që të merreshin në pyetje dëshmitarët, nuk pati argumente përmbyllëse dhe vendimi doli si i paracaktuar. Ky është vendim qesharak që do të apelohet.

Në gusht të vitit të kaluar, një tjetër gjykatë dënoi me tre vjet burg Khanin pasi e gjeti fajtor se kishte shitur dhurata në vlerë 501 mijë dollarë, në pronësi të shtetit. Shumën e kishte pranuar gjatë mandatit si kryeministër nga viti 2018 deri më 2022-shin.

Vendimi i sotëm nuk lidhet me rastin paraprak, por ka të bëjë me atë të nisur pas hetimeve të kryera nga trupa kryesore në Pakistan kundër korrupsionit, Byroja Kombëtare e Llogaridhënies, institucion që po ashtu ka ngritur aktakuzë ndaj bashkëshortes së Khanit në këtë rast penal.

Dënimi paraprak prej tre vitesh burg, më herët ishte pezulluar, por Khan vazhdon të qëndrojë pas hekurave për shkak të disa rasteve të tjera. Ai deklaroi se dhuratat shtetërore i pranoi në mënyrë të ligjshme.

Zyrtarët qeveritarë pretenduan se ndihmësit e Khanit i kanë shitur këto dhurata në Dubai. Një dënim paraprak ndaj Khanit, 71 vjeç, rezultoi me një ndalesë pesëvjeçare për mbajtjen e posteve publike, duke i pamundësuar ish-kryeministrit që të marrë pjesë në zgjedhjet e shkurtit. Por, pas vendimit të dhënë sot, nuk do të mund të mbajë një post publik deri në moshën 81-vjeçare.

Imran Khan është gjetur fajtor në dy raste të ndara, por ky është dënimi i parë ndaj bashkëshortes së tij Bushra. Çifti është martuar më 2018-ën, disa muaj para se Khan të zgjidhej kryeministër për herë të parë. Kjo është martesa e tretë e Khanit.