Bota

Sulm me bombë në Pakistan, një ditë para zgjedhjeve!

Një bombë shpërtheu sot pranë një zyre të një kandidati të pavarur në jugperëndim të Pakistanit, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, duke vrarë të paktën 14 persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Sulmi ndodhi në Pashin, një qark në provincën Baluchistan. Njoftimin e dha Jan Achakzai, zëdhënës i qeverisë së provincës. Ai shtoi se të plagosurit po dërgohen në një spital të afërt dhe policia deklaroi se disa prej tyre janë në gjendje kritike.

Pakistani mban zgjedhje në një kohë kur sulmet militante janë në rritje dhe pas burgosjes së Imran Khanit, fituesit të zgjedhjeve të fundit kombëtare. Khan ka mbizotëruar pavarësisht krizës ekonomike dhe problemeve me të cilat përballet vendi që ka armë bërthamore.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin deri tani. Disa grupe, përfshirë militantët islamistë të grupit taleban pakistanez dhe grupet separatiste nga Baluchistani e kundërshtojnë shtetin pakistanez dhe kanë kryer sulme në këtë vend, muajt e fundit.

Ditë më parë, ish-kryeministri i burgosur Khan iu bëri thirrje mbështetësve të tij që të presin pranë qendrave të votimit pasi të kenë votuar. Grumbullimi i madh i mbështetësve të Khanit te qendrat e votimit mund të rrisë tensionet, për shkak të asaj që e cilësojnë si “një luftë” të mbështetur nga ushtria kundër Khanit dhe partisë së tij, duke i kufizuar fushatën. Por, ushtria e ka mohuar përfshirjen në politikë.

Sulmi ndodhi pavarësisht zhvendosjes së qindra e mijëra policëve dhe forcave paramilitare në Pakistan për të garantuar paqe, pas një vale sulmesh militante kohët e fundit në vend, veçanërisht në Baluchistan.

Baluchistani, një provincë e pasur me gaz e që gjendet në kufi me Afganistanin dhe Iranin ka qenë arenë e një kryengritjeje të vogël të nacionalistëve për më shumë se dy dekada. Fillimisht, ata kërkuan ndarjen e burimeve të provincës, por më vonë nisën një kryengritje për pavarësi.