Bota

Pakistani i kundërpërgjigjet Iranit me sulme ajrore, 7 viktima!

Avionë luftarakë të Pakistanit kryen sulme ajrore duke shënjestruar militantë në Iranin fqinj, 7 viktima. Sipas zyrtarëve iranianë, u vranë katër fëmijë dhe tre gra. Goditjet në provincën Sistan-Baluçestan vijnë pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit sulmoi të martën e vrau dy fëmijë.

Në orën 04:50 të mëngjesit, disa shpërthime u dëgjuan në zonën e qytetit Saravan dhe pas hetimeve, ne mësuam se Pakistani shënjestroi me raketa një prej fshatrave kufitarë të Iranit. Tre gra dhe katër fëmijë janë vrarë.

Sulmet hakmarrëse ajrore të Pakistanit ndodhën disa orë pasi Islamabadi tërhoqi ambasadorin nga Irani, në shenjë proteste për veprimet e Gardës Revolucionare Islamike.

Më 16 janar, edhe Iraku tërhoqi të dërguarin në Teheran, pasi disa civilë u vranë gjatë sulmeve raketore të Gardës iraniane në Erbil. Irani pretendoi se sulmet e 16 janarit shënjestruan një “seli të spiunëve izraelitë” pranë Konsullatës amerikane në Erbil të Irakut, si dhe objektiva të lidhura me grupin militant, Shteti Islamik, në veri të Sirisë.

Që nga shpërthimi i luftës më 7 tetor mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, forcat e mbështetura nga Irani në Irak, thuajse çdo ditë kanë kryer sulme me dronë ndaj bazave në Irak dhe Siri ku gjenden të stacionuar trupat amerikane. Këto sulme po kryen në shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes që Uashingtoni i jep Izraelit dhe në përpjekje që të detyrojnë trupat amerikane të largohen nga rajoni.

SHBA-të dënojnë fuqishëm “sulmet e pamatura me raketa” në Erbil, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller. Ai deklaroi se bombardimet “minojnë stabilitetin e Irakut”.

Më 2022-shin, Irani mori përgjegjësinë për një sulm me raketa në afërsi të kompleksit të Konsullatës amerikane në Erbil. Teherani pati deklaruar se sulmi u krye në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve izraelite në Siri, ku ishin vrarë dy anëtarë të Gardës Revolucuonare.

Po ashtu, sulmet ajrore të Iranit në veri të Sirisë mbrëmjen e 15 janarit erdhën pasi IS-i mori përgjegjësinë për sulmin me dy bomba gjatë një ceremonie në 4-vjetorin e vrasjes së një gjenerali iranian, në një sulm me dron të kryer nga Amerika. Në Kerman të Iranit u vranë të paktën 84 persona dhe u plagosën 284 të tjerë, teksa zhvilloheshin homazhe në nderim të Qassem Soleimanit.