Aktualitet Politikë

Dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për 25 prillin, palët nuk gjejnë dakordësinë!

Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor të zgjedhjeve ka përplasur sërish Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste, pasi nuk u plotësua kuorumi i nevojshëm për ta zhvilluar atë. Për këtë debat, palët kanë pretendime të ndryshme, ku sipas kryetarit të Komisionit, Enkeled Alibeaj, socialistët e kanë bojkotuar mbledhjen pasi nuk duan të dalë e vërteta për vjedhjen e zgjedhjeve të 25 prillit.

Mirëpo, përmes një reagimi, Partia Socialiste ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës, duke thënë se nuk u paraqitën në mbledhje pasi nuk u njoftuan 24 orë përpara nga kryetari.

Alibeaj bëri me dije se mbledhjen e radhës do ta zhvillojnë ditën e premte në orën 10:00, ndërsa paralajmëroi socialistët, se nëse do mungojnë tre herë në mbledhje, do të ndjekin të gjitha hapat ligjorë dhe se do të kërkojnë zëvendësimin e përfaqësuesve të PS në Komision.

“Çudia e madhe ndodh, bojkot nga maxhoranca. Kjo tregon qartë se cila është qasja e Edi Ramës që ka vjedhur zgjedhjet. Unë me kolegët kemi vendosur të ndjekim të gjithë hapat. Do të njoftojmë fillimisht kryetaren e Kuvendit, konferencën e kryetarëve dhe jam i vendosur deri në fund që mungesat pa arsye 3 herë janë një shkak ligjor për të kërkuar zëvendësimin e tyre”, u shpreh Alibeaj.

Ndërkohë, për sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhin, ky bojkot erdhi pasi socialistët nuk kanë interes të faktojnë vjedhjen e Zgjedhjeve.

“Bojkoti i Komisionit Hetimor për masakrën zgjedhore të 25 Prillit nga anëtarët e Partisë Socialiste është dëshmi e qartë e papërgjegjshmërisë së tyre në raport me interesin e qytetarëve. Edhe pse kërkuar vetë që mbledhja e Komisionit të vijonte në datën 20, sot zgjodhën bojkotin. Është e qartë që ato që vodhën zgjedhjet, përdorën krimin dhe paratë e korrupsionit për të blerë vota, që përdorën shtetin në zgjedhje, nuk kanë interes për të faktuar masakrën zgjedhore. Opozitën nuk e pengojnë dot në ushtrimin e të drejtave dhe përgjegjësive të saj për hetimin parlamentar të masakrës zgjedhore të 25 Prillit”, tha Bardhi.