Rajoni

Dialogu dhe dinari, Escobar në Kosovë këtë javë!

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këtë javë viziton Prishtinën, për të biseduar me zyrtarë të qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, si dhe për dinarin e ndaluar serb në Kosovë. Njoftimin e dha Departamenti amerikan i Shtetit. Escobar do të vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi nga data 10 deri më 18 mars 2024. Zyrtari i lartë pritet të jetë në Prishtinë të mërkurën.

Vizita e tij do të ritheksojë përkushtimin e shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, që  synojnë integrimin euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal.

Escobari e viziton Kosovën në një kohë kur marrëdhëniet e zyrtarëve amerikanë me Qeverinë e Kosovës duken të tensionuara për shkak të çështjes së dinarit serb, të cilin Banka Qendrore e ndaloi përmes një rregulloreje muajin e kaluar. Po muajin e kaluar, Escobari tha se qeveria e Kosovës nuk po i trajton SHBA-të si partnere, për shkak të mosdëgjimit të kërkesës amerikane lidhur me çështjen e dinarit serb.

Ne jemi shumë të shqetësuar sepse qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-të janë të përkushtuara plotësisht.

Amerika ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi, duke argumentuar se ai është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te komuniteti serb në Kosovë, që përdor valutën kombëtare të Serbisë.

Departamenti i Shtetit theksoi se i dërguari amerikan do të takohet edhe me shoqërinë civile e komunitetin serb në Kosovë, përveçse me zyrtarë qeveritarë.

Ai do të mbajë takime edhe në lidhje me ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për pagesat me para e për të bërë thirrje për ndërmarrjen e hapave mbi plotësimin e nevojave të qytetarëve të Kosovës pa pengesa.

Rregullorja e BQK-së, që pranon vetëm euron si valutë me të cilën mund të kryhen pagesat me para, filloi të zbatohet nga 1 shkurti. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi iu paguan në dinarë  rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë përmes një sistemi paralel.

Rregullorja është kritikuar nga Bashkimi Europian.

Më 4 mars, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Europian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, i bënë thirrje Kosovës t’i përmbushë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, nëse dëshiron të anëtarësohet në BE e në NATO.

Bashkësia ndërkombëtare do që Kosova të përparojë në rrugën europiane, kemi krijuar kushtet për ta arritur këtë dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja… Shpresojmë të shohim përpjekje për të ecur para.