Bota

Donald Trump poston në Facebook, për të parën herë nga 6 janari 2021!

Pas më shumë se dy vitesh, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump u kthye në Facebook. Një mesazh me dy fjalë sinjalizoi rikthimin e tij:

I’m BACK! (U ktheva!)

Postimi shoqëroi një video 12 sekondëshe duke iu drejtuar një turme pasi fitoi zgjedhjet presidenciale të 2016-ës përballë rivales demokrate, Hillary Clinton.

Më falni që po prisni! Punë e ndërlikuar.

Trump u ndalua nga Facebook-u, ashtu si edhe nga të tjera platforma si Instagram e Twitter pasi mbështetës të tij sulmuan Kongresin më 6 janar 2021, për të mos lejuar certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në presidencialet e nëntorit 2020. Nga ky sulm tronditës pati edhe viktima.

Donald Trump u akuzua për përhapjen e dezinformatave zgjedhore dhe nxitjen e dhunës. Në janar, Meta, kompania që ka Facebook-un e Instagram-in hoqi ndalesat, por deri tani Trump kishte qëndruar jashtë. Dje ishte YouTube që hoqi kufizimet për ish-shefin e Shtëpisë së Bardhë.

Twitter-i ku Trump postonte vazhdimisht gjatë presidencës së tij, ia rivendosi llogarinë nëntorin e kaluar, pas blerjes së kompanisë nga Elon Musk. Por, ish-presidenti nuk po e përdor dhe postimi i fundit atje, daton nga janari 2021. Në Twitter, Trump numëron më shumë se 80 milion ndjekës.

Kur në janar Meta se Trump mund të kthehej, theksoi se do t’i nënshtrohej standardeve. Presidenti i Meta-s për Çështjet Globale, Nick Clegg:

Nëse Trump poston përmbajtje të mëtejshme dhune, kjo përmbajtje do të hiqet dhe ai do të pezullohet nga një muaj deri në dy vjet, në varësi të seriozitetit të shkeljes.

Përveç postimit në Facebook, në dy vitet e fundit, Trump i ka qëndruar besnik platformës konservatore Truth Social, të cilën e ka themeluar. Kujtojmë se vitin e kaluar, 76 vjeçari Donald Trump njoftoi se do të kandidojë me synimin për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara, për një mandat të dytë në vitin 2024.