Aktualitet

Dosja Habilaj, pranga ish-shefit të Policisë së Dhërmiut!

Një natë më parë, policia shqiptare njoftoi se arrestoi Sokol Boden, ish-shef i Policisë në Dhërmi, i shpallur në kërkim që në vitin 2017. Bode u shpall fajtor si bashkëpunëtor me grupin e Habilajve, të arrestuar në Itali për trafik të sasive të mëdha të marijuanës drejt vendit fqinj. Kujtojmë se dosja Habilaj çoi dhe në arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i dënuar më pas me 3 vite e 4 muaj burgim nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Dyshohet se gjatë gjithë këtyre viteve, Bode jetoi në arrati e kishte vetëm disa ditë i kthyer në Shqipëri, në vendlindjen e tij, në një fshat të Beratit ku dhe u arrestua. Nga GJKKO, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ai u dënua me 12 vite burg, për akuzat e “Kultivimit të bimëve narkotike”, “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Trafikimit të narkotikëve”.

Sipas hetimeve, ish-zyrtari policor lehtësonte veprimtarinë e trafikut të drejtuar nga vëllezërit Habilaj, me të cilët kishte lidhje e madje është shfaqur dhe në foto në shoqërinë e tyre. Ai është një nga tre drejtorët e policisë që vepronin në Vlorë dhe që u akuzuan për lidhje me Habilajt, së bashku me ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela e ish-shefin e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë, Gjergji Kohila. Fillimisht në arrati, Kohila u vetdorëzua në dhjetor të vitit të kaluar. Ai është dënuar me 8 vite burg.

Çela, i dënuar në mungesë, u vetdorëzua në maj të vitit 2020, ndonëse nuk i ka pranuar akuzat për trafik të lëndëve narkotike dhe lidhje me Habilajt. Në shkurt të këtij viti, Apeli i Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e dënoi me 3 vite e 4 muaj burg, për shpërdorim detyre. Si Tahiri, ashtu edhe Çela i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë t’i shpallë të pafajshëm.