Aktualitet

Dy turistë zviceranë bllokohen në malin e Korabit, nis operacioni i shpëtimit!

Një çift zviceranë kanë mbetur të bllokuar që prej pasdites së djeshme në afërsi të Sorokolit në malin e Korabit. Mësohet se turistët kishin dalë në mal për ski dhe një ortek bore i ka bllokuar.

Policia ka arritur t’i gjejë dy turistët, por nuk ka mundur që t’i transportojë pasi njëri prej tyre ka thyer këmbët. As helikopteri i FA nuk ka mundur të kryejë transportimin e tyre, ndërsa është kërkuar ndihma e KFOR që do të bëjnë të mundur nxjerrjen e tyre.

Ka qenë pronari i hotelit ku ata qëndronin që ka kuptuar mungesën e tyre në darkë dhe ka dalë për t’i kërkuar, por s’ka mundur t’i gjejë. Në operacionin e kërkim-shpëtimit shkuan efektivë të Policisë së Dibrës dhe Forcat Alpine nga Kosova.

Helikopteri i Forcave të Armatosura nuk ka mundur të ulet për shkak të terrenit malor dhe kushteve të motit. Operacioni i shpëtimit është në vijim.

Ndërkohë që këtë të hënë ka nisur operacioni i shpëtimit të tyre, me tërheqje nga lartësia, në bashkëpunim edhe me forcat e KFOR-it.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, për kërkimin e dy turistëve zviceranë, të bllokuar pranë malit të Korabit, u nisën 7 forca të policisë së rendit, 2 forca të policisë kufitare dhe disa banorë të zonës së njësisë administrative Kala e Dodës. Dy turistët u gjetën në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Stukturat Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit janë angazhuar në orët e para të mëngjesit për të vlerësuar mënyrën e ndërhyrjes, për shkak të terrenit të vështirë. Në këto momente po fillon operacioni i shpëtimit, me tërheqje nga lartësia, në bashkëpunim edhe me KFOR.

Dy turistët kishin arritur që t’i mbijetonin temperaturave ekstreme dhe acarit duke krijuar një zgavër mes borës. Ndërkohë, pritet që një helikopter t’i transportojë ata drejt Tiranës.