Aktualitet Politikë

Bllokohet Komisioni i Reformës Zgjedhore/Grupi i Bardhit dhe Berishës nuk lejojnë mbledhjen!

Me mesazhin nuk lejojmë “RamaReformë”, opozita bllokon mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore nën drejtimin e dy bashkëkryetarëve Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike.

Në vendet e tyre u ulën Albana Vokshi e Lindita Metaliaj. Gjiknuri foli për “veprime vandale”.

Opozita duhej të ishte më e interesuar për këtë reformë. Edhe Alibeaj nuk ka ardhur, ndoshta prej veprimeve vandale. Reforma do të ecë përpara e do ta mendojmë si do të vazhdojmë.

Përballë këtij bllokimi, deputetët socialistë u larguan. Gazment Bardhi tha se duan të marrin pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore, u shpreh se nuk i lejojnë.

Reforma Zgjedhore po mbahet peng nga Edi Rama. Sot donin që t’i hidhnin hi syve qytetarëve. Edi Rama nuk ka ndërmend të bëjë zgjedhje të lira. Maxhoranca ka penguar pjesëmarrjen e opozitës. Komisioni i Reformës, farsa e radhës nga Partia Socialiste e Basha. Si 7 deputetë mund të kenë 2/3-at e Komisionit? Ne i kemi propozimet tona për Reformën Zgjedhore dhe kjo reformë duhet që të përmbushë rekomandimet e OSBE-ODHIR/it. Shqiptarët duan reformë reale.

Për ditën e sotme në orën 11:00 ishte caktuar të rimblidhej Komisioni i Reformës Zgjedhore, pas thuajse dy vitesh. Mbledhja u njoftua pas takimeve të dy bashkëkryetarëve të Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri nga PS-ja dhe Enkelejd Alibeaj nga PD-ja, me përfaqësuesen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory. Zyra e OSBE-së në Tiranë u ka bërë thirrje deputetëve të garantojnë një proces parlamentar të qetë dhe funksional.