Showbiz

Dy vite pa Adelën, Eraldo Rexho: “Na paskan gënjyer, koha nuk shëroka çdo plagë”

Dy vite më parë i gjithë opinioni publik u trondit nga humbja e papritur e gazetares Adelajda Xhamani e cila u bë e njohur nga pjesëmarrja në “Big Brother Albania 2”.

Adela humbi jetën në moshën 31-vjeçare në shtëpinë e saj pas një arresti kardiak që pësoi në orët e vona të natës.

Sot më 29 tetor miqtë e saj të ngushtë përkujtojnë Adelën duke shpërndarë në platformat sociale foto dhe kujtimet që ndanë me të.

Një ndër ta është edhe miku i saj më i mirë, gazetari Eraldo Rexho i cili na ka emocionuar me anë të një postimi të publikuar në Instagram.

“Vitet nuk e zbehin dhimbjen… Na paskan gënjyer Adela, koha nuk shëroka çdo plagë! Ikja jote dhemb njësoj, edhe sot, si çdo ditë. Gjithçka na ka mbetur tani janë kujtimet. Të gjejmë në memorien e ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’, në galerinë e fotove në i-phone, në videot e shkarkuar në kompjuter, në një kërkim në ‘Youtube’, në një rikthim tek bisedat e ‘Whatsapp’… Në zyrën 40 metra katrorë, rrethuar nga orenditë që i zgjodhëm bashkë, në kolltukun ku bënim muhabetet e ditës, në tavolinën ku thurnim plane. Ti je gjithandej! Je te 21-shi, tek rruga e Kavajës, tek Blloku, në Shkozë, Kombinat e Kinostudio, je tek eventi i fundit, ku ishim dje. Jeta vazhdon, por s’është njësoj pa ty.
Sepse na paskan gënjyer edhe kur na kanë thënë që nuk ka njerëz të pazëvendësueshëm. E di që në rastet e humbjeve të përhershme nuk ka vend për këtë krahasim, por unë ende po kërkoj për një bashkëpunëtore si ty. Kam rreth vetes, plot miq e bashkëpunëtorë të tjerë, të rinj e të vjetër, por nuk po e gjej Adelën. Adelën që këndonte çdo ditë me mua, e që do të jetë gjithnjë në zemrën time. Të duam shumë dhe na mungon pafund.” -shkroi Eraldo përbri videos ku ata shihen duke kënduar së bashku.