Aktualitet

Dyshimet për testin e Magjistraturës, drejtori Rakipi: Gabim teknik/Sot faza e dytë!

Pas dyshimeve lidhur me rezultatin e testit te Magjistratura, sot në një dalje për mediat, drejtori i shkollës, Arben Rakipi, sqaroi se pati një problem teknik me pajisje scantron, e cila korrigjon testet. Rakipi theksoi se është bërë një verifikim i të gjitha testimeve e lista përfundimtare është 131 fitues

Fituesit ishin në një numër shumë herë më të vogël se çdo herë tjetër. Ishte numri 79 që në totalin e tij përbën 19% të kandidatëve, një shifër jashtëzakonisht e ulët dhe që solli shqetësim. Elementi i dytë ishin pikët mjaft të ulëta të listës. Kishim kandidatë që kishin marrë 2 pikë.

Lehtësisht u konstatua se llogaritja e pikëve është bërë në bazën 96 në total e jo të 100 pikëve. Eshtë një problem që e konstatova vetë e urdhërova të bëhen verifikimet dhe mënyra si do të rikuperohen gabimet. Gabimi ishte teknik. Kemi siguruar një pajisje tjetër, e cila bëri të mundur që të lexohet testi me 100 pikë siç duhet ta kishte lexuar pajisja e parë. Në këtë mënyrë ndryshoi edhe numri i fituesve e shkoi në 121. Për shkak të verifikimit, dolën fitues.

Ndërkohë, jo pak studentë kandidatë kanë paraqitur ankesat në raport me atë çfarë ndodhi, nëse leximi është bërë apo jo i saktë. Ky ishte elementi i dytë që të verifikojmë ankimet e bëra. Rregullorja e shkollës ka një dispozitë që rregullon qartësisht mënyrën si shqyrtohen ankimet.

Në bashkëpunim dhe me ekspertë të IT-së, për shkak të frikës që na shkaktoi leximi i parë, ne kemi shqyrtuar të gjitha përgjigjet e studentëve. Në përfundim të shqyrtimit tërësor të të gjitha përgjigjeve të 411 personave, rezultoi se përfundimisht, fitues janë edhe 10 të tjerë.

Dje u shpall lista me 131 kandidatë fitues, që sot po zhvillojnë fazën e dytë të provimit. Defekti është i karakterit thjesht teknik. S’ka lidhje me elementë njerëzorë, konkluzion që doli nga testet e shumta që bëmë pasdite kur u zhvillua provimi. Pajisja e re që vumë në shkollë, lexonte saktësisht. Elementi njerëzor në gabimin e pikasur një ditë më parë ishte krejtësisht i përjashtuar.  Sot rezultati është për shkak të meritës.

Ajo që më shqetëson është përqindja e kandidatëve që kanë mundësi për të kaluar në fazën tjetër. Ajo vijon të jetë e ulët. Kemi miratuar mekanizma për mundësinë që të jetë i pranueshëm për nivelin. Niveli i fazës së parë ishte te mesatar dhe kalimi i tij duhet të kapërcente nivelin mesatar. Moskalimi i nivelit ishte shqetësimi i parë. Uroj që të mund të prodhojë cilësinë edhe për të përmbushur kuota që KLGJ-ja e KLP-ja ka caktuar.