Sport

E thonë shifrat/ Ters për të kuqtë e Partizanit, Skënderbeu i vetmi që s’është “dorëzuar”!

Skuadra e vetme që Partizani nuk ka arritur ta mposhtë ende në këtë sezon, është Skënderbeu. Korçarët, që në këtë sezon kanë arritur të formojnë një skuadër mjaft simpatike, kanë arritur t’i marrin të kuqve plot 4 pikë në dy betejat e para të këtij sezoni. Në sfidën e parë në Korçë skuadra e Ivan Gvozdenoviç fitoi me shifrat 1-0 me një penallti të shndërruar në gol nga Ermir Rashica. Në kthim, Skënderbeu arriti të marrë një barazim me shifrat 1-1. Juri shënoi i pari në të 42-ën, teksa me të nisur pjesa e dytë të kuqtë barazuan me Kristian Mba. Partizani këtë herë shkon në Korçë me Orges Shehin në krye, një trajner, që në Korçë ka kaluar vitet më të arta të karrierës si futbollist. Durrsaku do të duhet të thyejë “tersin” e sezonit me mungesa të rëndësishme në sulm dhe jo vetëm.

Rikujtojmë se derbi i kryeqytetit është përsëri i kuq. Partizani ka fituar javën e kaluar me shifrat 2-1 me përmbysje sfidën e ethshme në “Air Albania”, duke siguruar një rezultat të rëndësishme që e ngjit në vendin e dytë ndërsa rrezikon vendin në katërshe të bardhebluve. Sfida ka qenë mjaft interesante, e ndezur sidomos nga një gol i shpejtë i Tiranës që goditi me mundësinë e parë që iu dha me Latifin. Por me kalimin e minutave, Partizani kërkoi me ngulm golin, duke e gjetur atë falë një penalltie të shkaktuar nga portieri Abdullahu, i cili bëri një gabim në largimin e topit. Një tjetër përgjumje në prapavijën e bardhebluve solli edhe golin e Carës para fundit të pjesës së parë për përmbysjen e Partizanit, i cili më pas e kishte shumë më të thjeshtë të administronte rezultatin. Një shtyllë e goditur nga Lushkja në pjesën e dytë ishte shumë pak për skuadrën e Ahmatajt, e cila me mungesa të mëdha dhe thuajse vetëm me të rinj në stol, u mundua të rrezikonte, pa shumë sukses. Kështu, në vërshëllimën përfundimtare, Partizani mori tre pikë të merituara që e shtyjnë në vendin e dytë në renditje. Ndërsa Tirana tani mund të arrihet nga Dinamo dhe rrezikon vendin mes katër skuadrave që do të luftojnë për titullin. Partizani shkon në kuotën e 40 pikëve, duke iu shkëputur Vllaznisë që luan të shtunën me Egnatian. Më shumë se për renditjen, fitorja në derbi mund të shërbejë dhe si një pikë kthese për të kuqtë, siç ndodh zakonisht pas një suksesi të tillë ndaj rivalit të përjetshëm.