Aktualitet Sport

Java e 31-të e Superiores/ Partizani ka sot shansin e artë për dyshen e parë, Egnatia tregon forcën e kampionëve!

Humbja e Vllaznisë në Shkodër një ditë më parë ishte një lloj asisti për Partizanin, ekipin kampion në fuqi. Të kuqtë kanë sot shansin e artë për të sistemuar shumë gjëra në tabelën e renditjes dhe për të treguar se janë kandidatë të fortë për titullin kampion.

Në Rrogozhinë luhet sot (ora 15:00) një ndeshje e denjë rivalësh. Dhe të fortët e tregojnë veten ndaj të fortëve. Partizani, nëse merr tri pikët, ngjitet në vend të dytë dhe për më tepër shkon 3 pikë larg Egnatias kryesuese. Me sigurimin të paktën të vendit të dytë pas 36 javësh, skuadra e Shehit i jep vetes komoditetin për të shkuar në finalen e “Final 4” edhe me një barazim.

Egnatia ka disa mungesa për sfidën e sotme dhe vjen nga një humbje me Erzenin e vendit të parafundit. Partizani nuk mundi të fitonte me Vllazninë një javë më parë, një tjetër rivale për titull, ndaj dhe sot nuk mund ta shpërdorojë këtë shans të artë.

Java e 31-të e Superiores mbyllet me ndeshjen Dinamo-Erzeni, që zhvillohet në “Air Albania”, në orën 18:00. Kryeqytetasit kërkojnë fitoren për të qenë edhe ata në “Final 4”.

Renditjen e Superiores e kryeson Egnatia me 54 pikë, e ndjekur nga Vllaznia me 51 pikë dhe Partizani me 48 pikë. Në vend të fundit është Kukësi.