Aktualitet Sport

Edhe mbi 20 mijë vizitorë sot për finalen e UEFA Conference League në Tiranë!

Gjatë ditës sotme në Tiranë pritet të vijnë mbi 20 mijë vizitorë të tjerë, të cilët do të ndjekin finalen e UEFA Conference League, midis Romës dhe Feyenoordit, që nis të luhet sot në orën 21:00 në stadiumin “Air Albania”.

Shifrën e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili në rrjetet sociale ndau pamje nga mbërritja e tifozëve që do të ndjekin ndeshjen e sotme.

Shqipëria mirëpret nga ajri dhe deti mysafirët e finales evropiane, sipas një protokolli me standardet më të larta të sigurisë, që mban në gatishmëri të gjitha strukturat doganore e policore në Rinas dhe Durrës dhe natyrisht në Tiranë. Gjatë ditës së sotme priten mbi 20.000 vizitorë të tjerë.

Të dy skuadrat mbërritën dje në Tiranë, por veprimet e huliganëve nga radhët e tifozerive respektive çuan mbrëmë në tensione e të plagosur. 19 efektivë u lënduan në krye të detyrës, njëri prej tyre me thikë. Uniformat blu ndërhynë për të mos lejuar konfrontime fizike mes tifozëve kundërshtarë. Po ashtu, në spital u paraqitën për të marrë ndihmë mjekësore edhe pesë shtetas shqiptarë, tre italianë e dy holandezë.

Në një dalje për mediat, numri dy i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj bëri të ditur:

Në ambientet e Policisë së Shtetit u shoqëruan 60 shtetas tifozë problematikë nga të dy skuadrat, nga të cilët 48 shtetas italianë dhe 12 shtetas holandezë, për përfshirje në aktet e dhunshme dhe kundërshtimin e punonjësve të Policisë.

Atyre u janë sekuestruar leva, doreza hekuri, shkopinj druri, gurë, thika, lëndë piroteknike etj, për të cilët, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po kryhen veprimet procedurale penale dhe hetimi do të vazhdojë në vijim.

Gjithashtu, sot në orët e para të mëngjesit janë “deportuar” nëpërmjet Portit të Durrësit, 80 tifozë huliganë italianë, për të cilët përveç largimit të tyre, do të ndiqen procedurat përkatëse me Federatën Italiane të Futbollit, për përjashtimin nga ambientet sportive dhe do të merren masa të tjera në zbatim të ligjit.