Aktualitet Politikë

Edhe me votat e opozitës, Kuvendi miraton Aktin Normativ për vaksinat Pfizer!

Me 126 vota pro, përfshirë të Opozitës, Kuvendi miratoi sot Aktin Normativ për blerjen e 500 mijë dozave të vaksinave anti-COVID të Pfizer-it. Ndërkaq, kujtojmë se seanca plenare nisi me përplasje kur kreu demokrat, Lulzim Basha përsëriti akuzat se “qeveria ka fshehur viktimat e COVID”-it, çka u kundërshtua ashpër nga Ministrja e Shëndetësisë. Sipas Ogerta Manastirliut, “në këto 18 muaj, opozita heq vallen e vdekjes”.

Gjithashtu, rritja e çmimeve dhe kriza energjetike ishin sot në fokus të debateve në seancë plenare në Kuvend. Kryetari demokrat Basha kërkoi masa emergjente për të lehtësuar familjet dhe ndërsa përmendi heqjen e TVSH-së, iu përgjigj zv.kryeministri Ahmetaj, i cili i kujtoi dështimin me këtë heqje, te imputet bujqësore.

Në debat me Bashën u përfshi edhe kryeministri Rama, i cili u ndal në krahasimin me shifrat në kohën kur në pushtet ishte opozita e tanishme. Rama deklaroi se “opozita është shndërruar në mbeturinë të Partisë së Punës, që bën aleanca me viruse, me tërmet, përmbytje dhe kriza, në vend që të ofrojë zgjidhje”.

Ndërkaq, sot u vunë nën hetim 4 persona, si organizatorë të dyshuar të protestës së djeshme kundër rritjes së çmimeve. Sipas njoftimit të Policisë Tiranë, u referuan materialet në Prokurori dhe po punohet për shoqërimin e tyre.

Ata akuzohen se kanë bërë bllokimin në mënyrë të paligjshme të rrugës, duke penguar qarkullimin e automjeteve. Ndërkaq, protesta e radhës nga organizatorët është paralajmëruar për të hënën, po para Kryeministrisë.