Aktualitet

Eksportet u zvogëluan! Dëmi nga forcimi i lekut, 170 milionë euro më pak!

Tregtia e jashtme po “shfryhet” nga vlerat rekord të regjistruara gjatë vitit të kaluar.

Shifrat e qershorit konfirmojnë edhe njëherë tendencën rënëse të dërgimit të produkteve shqiptare jashtë vendit, pasi u tkurrën me rreth 17%. Edhe importet u tkurrën me 7%.

Në gjashtë muajt e parë të vitit janë dërguar 170 milionë euro më pak mallra jashtë vendit. Faktorët kryesorë janë rënia e çmimeve në bursa për produktet që eksporton vendi, por edhe zhvlerësimi i euros me gati 17% nga një vit më parë.

Në qershor tkurrjen më të fortë e pësuan materialet e ndërtimit dhe metalet, ndjekur nga mineralet, lëndët djegëse, si dhe tekstilet dhe këpucët.

Por, grupi që po përformon përtej parashikimeve gjatë këtij gjashtëmujori janë ato të ushqimeve. Edhe gjatë qershorit, më shumë fruta dhe perime shqiptare u dërguan jashtë vendit, ndërsa vendi përjeton edhe kulmin e sezonit të prodhimit.

Panorama mbetet e zymtë edhe për importet me 70 milionë euro më pak produkte që hynë në vend gjatë gjashtëmujorit. Kjo reflekton edhe ngadalësimin ekonomik, por edhe rënien e konsumit në vend.

Sa i përket vendeve me të cilat kemi kryer tregti, Kina ka filluar të jetë një partner i rëndësishëm për vendin.

Në gjashtëmujor morëm dhe dërguam më shumë mallra nga Kina duke përbërë 7% të volumit tregtar të vendit. Ndërkohë Italia vijon të mbajë vendin e parë, ndjekur nga Turqia dhe Greqia.