Aktualitet

Eksportet vijojnë rënien, u tkurrën me 29% në janar!

Edhe në fillim të vitit eksportet kanë vijuar të njëjtën ecuri negative që kishin përgjatë 2023-shit.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në janar eksportet arritën vlerën e 29 mld lekëve, duke u tkurrur me 29.2% krahasuar me janarin e vitit të shkuar. Ndërsa në raport me dhjetorin janë ulur me 20.7%.

Grupet kryesore që kanë ndikuar në këtë rënie janë “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 19.5% , “Tekstile dhe këpucë” me 5% dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3.8%.

Industria e tekstileve e këpucëve prej muajsh ka qenë më e goditura, me kompanitë që tashmë kanë filluar shkurtimet e punonjësve, për shkak të rënies së porosive nga partnerët e huaj. Këta të fundit po zhvendosin prodhimin drejt vendeve me kosto më të lira të punës.

Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet e produktet kimike dhe plastike si dhe të ushqimeve, pijeve e duhanit, përkatësisht me 0.3% dhe 0.1%.

Importet e mallrave në janar arritën vlerën e 60 mld lekëve, duke u rritur me 3.4 % në krahasim me një vit më parë.

Dhe në importe, grupet me kontribut negativ janë po “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” dhe “Tekstile dhe këpucë” duke u tkurrur përkatësisht me 3% dhe 1%.

Thellohet deficiti tregtar
Ndryshe nga eksportet, importet e mallrave janë rritur, duke përkeqësuar deficitin tregtar.

Sipas të dhënave të INSTAT,deficiti tregtar i janarit është 30 mld lekë, duke u rritur me 88.6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Krahasuar me dhjetorin e 2023-shit është ulur me 13.5%.

Tkurren eksportet me Italinë dhe Kosovën, rriten me Kroacinë
Referuar INSTAT, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me janarin e vitit të shkuar janë: Italia (7.6 %), Kosova (20.1 %) dhe Gjermania (34.7 %).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë Kroacia (59.3 %) dhe Austria (17.6 %).

Rritje të madhe në importe Shqipëria ka patur me Italinë, Kinën dhe Greqinë ndërsa ulje me Turqinë, Spanjën dhe Maqedoninë  e Veriut.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 58.4 %, të gjithë tregtisë së mallrave.