Bota Tech

Bie ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’/Probleme në të gjithë globin, çfarë po ndodh me rrjetet sociale?

Facebook dhe Instagram kanë ndaluar së funksionuari pasditen e së martës. Përdoruesit raportojnë probleme me aksesin në llogaritë e tyre. Deri më tani, përdoruesit që kanë qenë të loguar janë nxjerrë nga llogaritë e tyre, ndërsa të tjerë që kanë tentuar të logohen në llogaritë e tyre, e kanë pasur të pamundur. Kjo sa i përket Facebook-ut, ndërsa Instagrami, thjesht ka ndaluar së funksionuari.

Platformat kanë pësuar ndërprerje masive, duke krijuar probleme tek dhjetëra mijëra përdorues në të gjithë globin. Brenda gjysmë ore numri i raportimeve kishte kaluar 90,000 për Facebook dhe 15,000 për Instagram. Sipas Metro.co.uk, në Facebook ndërprerja dukej se po prekte të gjitha platformat, por 89% e raporteve në lidhje me Instagram lidheshin me aplikacionin, pasi ka shumë më pak përdorues të desktopit sesa Facebook.

Kujtojmë se të dyja faqet në pronësi të Meta-s kanë pësuar ndërprerje serioze javët e fundit, por asnjëherë në të njëjtën kohë.

Deri më tani, vetëm WhatsApp, i cili po ashtu është në pronësi të kopmpanisë Meta, vijon të funksionojë normalisht.  Nuk ka pasur ende një reagim zyrtar nga kompania se cili është problemi që ka shkaktuar “black out-in” në platformat e saj.  Siç ndodh kryesisht në këto raste, përdoruesit e platformave të Meta, po komentojnë rreth problemeve në “X’, e Elon Musk.

Probleme janë raportuar edhe me Messenger-in. Ndërsa, në momentin që hap Instagramin, në ekran shfaqet mesazhi, “An error occurred and the page could not be loaded.”