Bota

Eksporti i grurit ukrainas, Rusia dhe Turqia arrijnë marrëveshje!

Një delegacion turk udhëtoi sot për në Moskë, për të biseduar mbi mundësinë e rifillimit të eksporteve të grurit nga Ukraina përgjatë Detit të Zi. Në takimin që në kryeqytetin rus zgjati disa orë, përfaqësuesit e ministrive të mbrojtjes të Turqisë dhe Rusisë arritën marrëveshje për bashkëpunimin e mëtejshëm për kalimin e sigurt të anijeve tregtare turke dhe eksportin e grurit, nga portet ukrainase në Detin e Zi. Që nga nisja e pushtimit rus, më 24 shkurt, miliona tonë grurë e të tjera sasi drithërash, janë bllokuar prej muajsh në portet e Ukrainës, duke sjellë shqetësime mbi krizën dhe rritjen e çmimeve në të gjithë botën.

Në një deklaratë të Moskës zyrtare theksohet:

Palët diskutuan për daljen e sigurt të anijeve tregtare turke dhe eksportin e grurit nga portet e Ukrainës, po ashtu mbi lundrimin e sigurt në Detin e Zi.

Në mënyrë të përsëritur, Rusia ka mohuar bllokimin e kalimit të anijeve me grurë ukrainas, duke fajësuar sanksionet perëndimore si shkak për krizën ushqimore. Turqia, vend që ka mbajtur marrëdhënie të mira me Moskën e Kievin është ofruar të mundësojë kalimin e anijeve nga Ukraina, bazuar në një plan të Kombeve të Bashkuara që do të garantonte korridore të sigurta në Detin e Zi.

Më herët gjatë ditës së sotme, një anije mallrash turke u largua nga porti i Mariupolit, qytetit ukrainas të pushtuar nga Rusia, pas një raundi bisedimesh të cilësuara “konstruktive” me Moskën. Por, Ministria e Mbrojtjes së Turqisë, nuk specifikoi nëse po transportonte grurë.

Takimi në Moskë dha të parin rezultat konkret! Vetëm pak orë pas përfundimit të takimit, anija turke me mallra e që priste prej ditësh, u largua nga porti ukrainas.

Në deklaratë shtohet se “Azov Concord” u bë anija e parë e huaj që u largua nga porti në Mariupol, një qytet i shkatërruar dhe i kthyer në gërmadhë nga bombardimet ruse.