Bota

EMA nis vlerësimin e vaksinës kineze Sinovac!

Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA nis vlerësimin e kinezes Sinovac, e cila është një prej 4 vaksinave anti-COVID që po përdoret edhe në Shqipëri. Tre të tjerat janë Pfizer&BioNTech, AstraZeneca e Sputnik V. Lajmin për analizmin e efikasitetit të Sinovac-ut e dha vetë EMA, në një njoftim në Twitter.

Deri tani, dritën jeshile në BE e kanë marrë vetëm vaksinat Pfizer, Moderna, AstraZeneca e Johnson&Johnson. Ndërkaq, Brukseli zyrtar është optimist dhe i kënaqur me ecurinë e deritanishme të fushatës së vaksinimit në vendet e Unionit. Në Twitter, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen shkruan:

Fushata e vaksinimit po fiton shpejtësi në të gjithë Bashkimin Europian! Sapo tejkaluam shifrën 150 milionë dhe një e katërta e të gjithë europianëve e ka marrë dozën e parë. Kemi doza të mjaftueshme për të vaksinuar 70% të të rriturve në BE deri në korrik.

Një ditë më parë, Komisioni Europian propozoi që me afrimin e pushimeve verore, të lejohet hyrja në Bashkimin Europian për udhëtarët që vijnë nga vendet e treta që kanë marrë dozat e nevojshme të vaksinave anti-COVID-19 të autorizuara në nivelin europian. Komisioni Europian u propozon shteteve anëtare të lehtësojnë kufizimet aktuale mbi udhëtimet jo-thelbësore, të tilla si turizmi në BE, duke marrë parasysh progresin e fushatave të vaksinimit dhe zhvillimet në situatën epidemiologjike në të gjithë botën.

Gjithashtu u propozon të lejojnë hyrjen në BE për arsye jo thelbësore, jo vetëm për personat që vijnë nga vendet me një situatë të mirë epidemiologjike, por edhe për njerëzit që kanë marrë dozën e fundit të rekomanduar të një vaksine të autorizuar në Union.