Bota

EMA: “Vaksinat aktuale, efikase ndaj Omicronit!”

Bota është e shqetësuar për variantin e ri Omicron të koronavirusit dhe që Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikon me rrezik shumë të lartë global. Kjo ka çuar në rikthimin e masave kufizuese në shumë vende, pas evidentimit të rasteve të para në Afrikën e Jugut, por një vlerësim e ka edhe Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA.

Vaksinat ekzistuese anti-COVID janë efikase e vazhdojnë të shpëtojnë njerëzit nga format e rënda të sëmundjes, si dhe nga vdekja. Ndonëse varianti i ri do të përhapet më shumë, vaksinat që kemi autorizuar, vijojnë të garantojnë mbrojtje.

Ndërkaq, nga janari, Greqia ka vendosur të gjobisë të gjithë personat mbi 60-vjeç që refuzojnë të vaksinohen kundër koronavirusit. Siç bëhet e ditur, gjoba pritet të jetë 100 euro. Por në Austri, gjobat paralajmërohen deri në 7.200 euro për të pavaksinuarit. Në një tjetër zhvillim, autoritetet shëndetësore në Francë njoftuan vendimin për të rekomanduar vaksinimin anti-COVID për fëmijët nga 5 në 11-vjeç, që janë të kërcënuar nga ana shëndetësore. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden shprehet se “Omicron përbën shkak për shqetësim, por jo për panik”. Duket se Biden nuk synon të vendosë për momentin, masa të gjera bllokimi dhe përsërit apelin drejtuar qytetarëve, që të vaksinohen!

Kompania farmaceutike BioNTech konfirmoi se ka filluar të punojë për një vaksinë të re të mundshme kundër llojit të ri Omicron të koronavirusit.

Hapat e para të zhvillimit të një vaksine të re mbivendosen me kërkimin e nevojshëm për të vlerësuar nëse do të nevojitet një vaksinë e re. Kjo ka qenë një procedurë standarde pas shfaqjes së llojeve të tilla.

Ende nuk është e qartë nëse Omicron është më i transmetueshëm duke shkaktuar sëmundje më të rënda apo më rezident ndaj dozave aktuale dhe rezultatet e para nga studimet aktuale pritet të dalin brenda dy javësh. BioNTech, e themeluar nga emigrantë turq në Gjermani, si dhe partneri i saj amerikan Pfizer, javën e kaluar thanë se do të prodhojnë dhe shpërndajnë një version të ri të vaksinës COVID-19 brenda 100 ditëve, nëse studimet mjekësore arrijnë në përfundim se vaksinat aktuale janë më pak efektive kundër llojit të ri të koronavirusit.