Aktualitet

Enkelejd Joti zgjidhet në krye të RTSH-së!

Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Publik zgjodhi sot Drejtorin e ri të Përgjithshëm të RTSH-së. Me votim të fshehtë të 9 anëtarëve të Këshillit Drejtues, u zgjodh me tre të pestat e votave, Enkelejd Joti.

Sipas ligjit, ish-kreu i QSUT-së siguroi shumicën e cilësuar të votave nga të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues që kryen këtë të hënë procedurën statutore të zgjedhjes së drejtuesit të ri të institucionit mediatik. Kandidatët në garë ishin Enkelejd Joti, Iris Luarasi, Mimoza Haxhiaj dhe Laureta Roshi.

Vendimi i Këshillit Drejtues erdhi pasi më herët u dëgjuan në seancë publike katër kandidatët që ishin paraqitur si pretendentë për këtë detyrë publike. Kandidatët paraqiten para anëtarëve të Këshillit Drejtues në mënyrë të detajuar platformat e tyre, ku përshkruheshin objektivat dhe strategjitë përkatëse për drejtimin e Televizionit Publik.

Në mbledhje, anëtarët e Këshillit i drejtuan pyetje secilit prej kandidatëve që hynë në garën për Drejtor të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar. Procedura e zgjedhjes së drejtorit të ri të përgjithshëm u monitorua nga komisioni ad-hoc i ngritur për këtë qëllim dhe respektoi gjithë procedurat që parashikon statuti i Radio Televizionit Publik.