Rajoni

Eurodeputetët e paduruar, thirrje BE-së për sanksione ndaj liderit serb të Bosnjës, Dodik!

Deputetë me emër të Parlamentit Europian e që merren me çështje të rajonit të Ballkanit Perëndimor po kërkojnë që të vendosen sanksione ndaj liderit serb të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, i njohur për shqetësimet që i krijon komunitetit ndërkombëtar me deklaratat e veprimet që ndërmerr. Kjo për shkak të sjelles së tij përçarëse e që po ashtu vlerësohet se dëmton sovranitetin e integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës.

Shefi i Komisionit për Politikën e Jashtme, David McAllister, raportuesi për Bosnjë-Hercegovinën, Paulo Rangel, si dhe numri një i delegacionit për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, Romeo Franz po apelojnë për masa urgjente ndaj Milorad Dodikut, nga Bashkimi Europian. Në një deklaratë të përbashkët theksohet:

Ne nuk mund që të tolerojmë më përçarësit dhe mbështetësit e tyre, që në mënyrë sistematike të rrezikojnë Bosnjë-Hercegovinën.

Po ashtu, me vendosmëri dënojnë vendimin e Asamblesë së entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, për të mos pranuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës. Refuzimin serb e konsiderojnë si një sulm direkt ndaj rendit kushtetues dhe gjithashtu kundrejt marrëveshjes së Dejtonit.

Nën dritën e provokimeve të fundit të presidentit Milorad Dodik e të zyrtarëve të tjerë udhëheqës të Republikës Sërpska, nevojiten urgjentisht veprime shtesë nga Bashkimi Europian. Në mënyrë të vazhdueshme, Parlamenti Europian ka kërkuar nga Këshilli që të kalojë nga deklaratat verbale, në veprime specifike ndaj atyre që qëllimisht rrezikojnë rendin kushtetues dhe integritetin e Bosnjë-Hercegovinës.

Për Bashkimin Europian dhe vendet anëtare, më në fund ka ardhur koha që të vendosin sanksione ndaj Milorad Dodikut, i cili tashmë është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Eurodeputetët kanë tërhequr vërejtjen se kredibiliteti i Bashkimit Europian është në pikëpyetje dhe Unioni nuk mundet që të kënaqet vetëm me deklarata verbale, në mbështetje të veprimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë-Hercegovinë, por duhet që në mënyrë aktive të ndërmarrë masa.