Bota Rajoni

Debat në Bruksel për përshpejtimin e zgjerimit të BE-së pas pushtimit rus të Ukrainës!

Në mbështetje të zgjerimit të Bashkimit Europian, anëtarë të Komisionit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian dhe kryediplomatë të vendeve të Unionit, kërkojnë që pas pushtimit rus të Ukrainës, procesi të përshpejtohet se sipas tyre “ka qenë tepër i ngadalshëm”.

Sot në Bruksel u përfshinë në një debat të përbashkët, i pari i këtij lloji dhe që i paraprin takimit të 21 marsit të kryetarëve të shteteve e qeverive të BE-së. Pritet që ata të diskutojnë nisjen e negociatave për anëtarësimin e Bosnjë-Hercegovinës, si dhe mbi disa vendime po lidhur me zgjerimin.

Kryetari i komisionit, David McAllister tha se “zgjerimi i BE-së do të jetë temë edhe gjatë fushatës për zgjedhjet europiane”. Komisionit Europian i kërkoi të dalë me propozimin e reformave për t’u bërë nga BE-ja, që të përgatitet për zgjerimin.

Në veçanti ministra të Jashtëm nga vendet baltike, kritikuan BE-në për ngadalësimin e procesit të zgjerimit dhe për lëvizje të afateve kohore. Teksa prisnin që negociatat e anëtarësimit me Ukrainën të nisnin këtë muaj apo në prill, as në qershor nuk ka shanse të ndodhë.

Kryediplomati letonez, Kristijanis Karins kërkoi që Europa të mos lejojë që në kontinent të ketë zona gri, pasi “Rusia do të tentojë t’i zaptojë”.

Të paktën në qershor të nisin negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Shpresojmë që edhe Bosnja të fillojë negociatat ndërsa të tjera vende të Ballkanit Perëndimore të lëvizin në procesin e negociatave të anëtarësimit.

Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon rikujtoi se ka pasur shumë vonesa në procesin e afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Fajon përmendi pritjet e gjata për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, si dhe heqjen e vizave për Kosovën.

2030-ta të jetë vit kur BE-ja dhe vendet anëtare të jenë gati për zgjerim! Shtetet e Ballkanit Perendimor dhe tre vende lindore që tani janë kandidate mund të përparojnë paralelisht.

Duke vënë në dukje se Europa ka ndryshuar, ministrat nga Austria e Danimarka theksuan se “zgjerimi është i domosdoshëm”. Por, përsëritën se “procesi duhet të mbetet i bazuar në meritat individuale të vendeve kandidate, që të përmbushin kriteret përmes reformave”.

Ministri për Çështje Europiane i Finlandës, Anders Adlercreutz, apeloi:

Përshtatja me politikën e jashtme të BE-së, të jetë kusht në procesin e zgjerimit! Siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor janë të rëndësishme për mbarë Europën.

Në pjesën e dytë të vitit, kur Hungaria të ketë kryesimin e radhës së BE-së, zgjerimi do të jetë prioritet. Sekretari hungarez i Shtetit, Peter Sztaray:

Do të donim që këtë vit, të hapim kapituj negociues me Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të mbyllim kapituj me Malin e Zi e të nisim negociatat edhe me Bosnjën.

Deputetë të Parlamentit Europian kërkuan që vendet e BE-së të jenë më korrektë në vendimet e tyre e të mos bllokojnë ato kandidate kur t’i përmbushin kriteret në procesin e zgjerimit. Në debat ra në sy mungesa e ministrave nga Gjermania, Franca dhe Italia.