Bota

Europa League, ukrainasi Malinovskyi bën dy gola e tregon një t-shirt “No war”!

Në Europa League, lojtari ukrainas i Atalantas, Ruslan Malinovskyi shënoi mbrëmë dy gola në dy minuta, në të 66-ën e 68-ën, dy gola që marrin domethënie të veçantë pasi u realizuan në ditën më të vështirë për të, pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Në ndeshjen Olympiacos-Atalanta që përfundoi në rezultatin 0-3, mesfushori Malinovskyi mbajti të veshur nën fanellë, t-shirt/in me mbishkrimin: “No war”, një mesazh i fortë për t’i treguar botës sa e tmerrshme është lufta. Në këtë mënyrë shprehu mbështetjen e fortë për Ukrainën e tij.

Në 24 orë luftime, deri tani raportohen 137 viktima e mbi 300 të plagosur ndërsa forcat ruse janë shumë pranë Kievit. Presidenti ukrainas, Zelensky kërkon një koalicion kundër luftës dhe iu drejtua Nëntëshes së Bukureshtit për të kërkuar ndihma ushtarake e sanksione të mëtejshme kundër Moskës. Nëntëshja e Bukureshtit, sipas emrit të qytetit ku u zhvillua mbledhja në vitin 2015 ka në përbërje Bullgarinë, Hungarinë, Estoninë, Lituaninë, Letoninë, Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë e Republikën Çeke.

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithçka tregon se Rusia synon të rrethojë e kërcënojë Kievin. Kjo u vu në dukje nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken në një takim të OSBE-së.

Besojmë se Moska ka zhvilluar plane për të ndërmarrë abuzime masive me të drejtat e njeriut e diçka për keq, në dëm të popullit ukrainas.

Në vlerësimin e ekspertëve amerikanë, operacioni ushtarak që për rusët synon çmilitarizimin e Ukrainës, mund të zgjasë 10 deri në 15 ditë, edhe pse pranojnë se vështirë të bëhen parashikime.

Një shqetësim ka edhe për Çernobilin, ku siç bën të ditur Shtëpia e Bardhë, ushtarët rusë kanë marrë peng personelin që kujdeset për impiantet e mbetjeve bërthamore. Zëdhënësja Jen Psaki:

Ky është një veprim i paligjshëm dhe i rrezikshëm që mund të kërcënojë shërbimin e nevojshëm e rutinë, për të mirëmbajtur e mbrojtur impiantet e mbetjeve bërthamore. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm!

Po ashtu, Shtëpia e Bardhë u shpreh e gatshme të presë refugjatë ukrainas.